Vuçiq sot në Rashkë, takon serbët nga Kosova

Presidenti i Serbisë, Aleksandar Vuçiq, sot në ora 12:00 në Qendrën e Kulturës Gradac në Rashkë do të takohet me përfaqësuesit politikë të serbëve nga Kosova.

Siç njofton Zyra për Bashkëpunim me Media e Vuçiq, në takim do të marrin pjesë kryeministrja Ana Brnabiq dhe anëtarë të Qeverisë së Serbisë.
Nënkryetari i Listës Serbe, Igor Simiq, ka thënë se përfaqësuesit politikë të serbëve nga Kosova do të kenë takim me presidentin, kryeministrin dhe ministrat “do ta përcjellin qartë se si jetojnë serbët në Kosovë”.

“Edhe një herë do të paraqesim gjithçka që (kryeministri i Kosovës) Albin Kurti po bën me qëllim që t’ua pamundësojë jetën serbëve në Kosovë dhe Metohi, duke filluar nga arrestimet dhe akuzat, e duke përfunduar me tentativën e vrasjes së (Milan Jovanoviqit afër Urës së Bistricës),” ka akuzuar Simiq në televizionin, Pink.

Pjesëtarët e komunitetit serb nga veriu i Kosovës, më 12 prill, protestuan dhe kërkuan tërheqjen e njësive speciale të Kosovës nga ai rajon, pas plagosjes së një bashkëqytetari të tyre.
Protesta është mbajtur në Zveçan, në rrugën kryesore, e cila nga banorët lokalë njihet me emrin “te ura e Bistricës”.

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *