Vuçiq pishman, do të udhëtojë në Samitin e Tiranës

Presidenti i Serbisë Aleksandar Vuçiq megjithatë do të marrë pjesë në Samitin BE – Ballkani Perëndimor nesër në Tiranë. Edhe pse para disa ditësh paralajmëroi se do ta bojkotojë këtë samit, presidenti serb sot tha se pas diskutimeve me zyrtarët shtetërorë dhe miqtë, ka vendosur që megjithatë të shkojë në Shqipëri.

“Fola me Anën (Bërnabiq), me miqtë… unë nuk kam problem, nuk është në pyetje sueta ime, unë 10 vjet e gjysmë mbaj llogari për gjithçka. Ndonjëherë thjeshtë ju kapin emocionet, kur nuk dini më çfarë të bëni, kur dikush me muaj ju prodhon kriza”, tha Vuçiq.

Sipas tij, nëse nuk do të merrte pjesë në samit, dëmet do të ishin të mëdha për Serbinë.

“Nuk jam i sigurt, por mendoj se do të ketë ndonjë lloj dobie udhëtimi im në Tiranë. Nëse nuk shkoj, sigurisht se dëmet do të ishin të mëdha për vendin tonë”, theksoi presidenti i Serbisë.

Vuçiq para disa ditësh paralajmëroi bojkotimin e samitit në shenjë proteste, pas vendimit të kryeministrit të Kosovës Albin Kurti për të emëruar Nenad Rashiqin si Ministër për Kthim dhe Komunitete në Qeverinë e Kosovës.

Reagimi i vakët i BE-së ndaj vendimit të Kurtit ka qenë “i turpshëm”, sipas Vuçiqit, prandaj do të protestonte duke bojkotuar samitin.

Ndryshimi i qëndrimit vjen pasi kryeministrja serbe Ana Bërnabiq tha publikisht se presidenti duhet të marrë pjesë në Samitin e Tiranës. Gjithashtu Vuçiq takoi sot përfaqësuesin e BE-së për Ballkanin Perëndimor, Mirosllav Lajçak.

Tirana do të jetë nikoqire e Samitit BE-Ballkani Perëndimor, që mbahet për herë të parë në një nga 6 shtetet e Ballkanit Perëndimor.

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *