Presidenti i Serbisë, Aleksandar Vuçiq, ka komentuar vendimin e këshilltarëve shqiptarë në Kuvendin e Mitrovicës së Veriut për të hapur për qarkullim urën mbi lumin Ibër, raporton Gazeta Sinjali.
Sipas mediumit serb Kosovo-Online, Vuçiq i ka dërguar mesazhe kryeministrit të Republikës së Kosovës,Albin Kurti, se nëse përpiqet të dëbojë serbët, do të përgjigjen.
Vuçiq citohet të ketë thënë se Kurti dëshiron konflikte.
“Lideri okupator Albin Kurti mori vendim për hapjen e një ure që prej kohësh ka qenë digë për sigurinë e serbëve që të mos e marrin shqiptarët Mitrovicën. Për shumë vite, populli ynë kundërshtonte dhe pyeste pse po e bën këtë. E vetmja gjë që dëshiron , është të dëbojë njerëzit tanë dhe dëshiron konflikte”, ka thënë Vuçiq para qytetarëve në Sokobanjë.
Vuçiq ka theksuar se Kurti e ka marrë këtë vendim për hapjen e urës vetëm pak ditë pas “zgjedhjeve të turpshme që u mbajtën së fundmi”. Vuçiq pretendon se Serbia do të bëjë çmos për të ruajtur paqen.
“Ne do të bëjmë çmos për të ruajtur paqen, do të bëjmë çmos që asnjë grua të mos mendojë për dërgimin e fëmijës së saj në luftë. As mos e ëndërroni se do të keni sukses në qëllimet tuaja për të dëbuar apo shkatërruar serbët, ne në atë rast do të dimë çfarë të bëjmë”, tha presidenti i Serbisë.
Ai shtoi se ndërsa është “president dhe komandant i përgjithshëm, Serbia nuk do të jetë në NATO apo në asnjë aleancë ushtarake”.
“Dhe kjo është zgjedhja jonë”, theksoi Vuçiq