Presidenti serb, Aleksandar Vuçiq, është deklaruar sot pasi Kosova dhe Serbia u pajtuan më 18 mars, në Ohër, që të fillojnë zbatimin e Marrëveshjes për normalizimin e raporteve sa më shpejt që të jetë e mundur.
“Diskutimet nuk janë kurrë të thjeshta sepse kemi të bëjmë me palë që kanë interesa të ndryshme”, tha Vuçiq.
Vuçiq tha se Aneksi është pjesë përbërëse e marrëveshjes, ku Kosova dhe Serbia pajtohen ta respektojnë atë dhe të zbatojnë të gjitha obligimet.
“Palët e pranojnë se marrëveshja dhe aneksi për zbatim do të bëhen pjesë integrale e procesit të anëtarësimit të Serbisë në BE dhe anëtarësimit të Kosovës në BE. Palët pranojnë se pas miratimit të Aneksit, BE-ja do të fillojë ndryshimet në kapitullin 35 për Serbinë, i cili do të pasqyrojë obligimet e Serbisë. Agjenda e grupit special të Kosovës do të pasqyrojë edhe obligimet e reja të Kosovës që dalin nga aneksi. Palët pajtohen që të konfirmojnë deklarimin e personave të zhdukur siç është rënë dakord në marrëveshje”, tha Vuçiq.
Siç tha ai, sipas Aneksit, për të zbatuar nenin 7 të propozimit evropian, Kosova nis negociatat me ndërmjetësimin e BE-së për vendosjen e marrëveshjeve dhe garancive konkrete në mënyrë që të ofrohet një nivel adekuat i qeverisjes për komunitetin serb në Kosovë në përputhje me marrëveshjet e mëparshme përkatëse nga dialogu.
/GazetaDemos/