Vjosa Osmani i merr meritat, tregon se qysh i bindi aleatët për zgjedhjet në veri

Vjosa Osmani, presidente e Kosovës, po qëndron në Shqipëri, ku është takuar me shumë krerë institucionalë, përfshirë kryeministrin shqiptar Edi Rama. E pasi kreu pjesën e parë të takimeve, në mbrëmje Osmani dha një intervistë relativisht të gjatë për “Top Story”, që udhëhiqet nga Grida Duma. Në këtë intervistë, Osmani ishte jashtëzakonisht e kujdesshme të përzgjidhte termet e fjalitë e përdorura për të përshkruar situatën politike në Kosovë.

Megjithatë, ajo u tregua goxha dorëlëshirë në “zotërimin” e procesit të zgjedhjeve në veri. Më saktësisht, në mënyrë diskursive, Osmani e privatizoi tërësisht procesin e bindjes së aleatëve të Kosovës për të pranuar mbajtjen e zgjedhjeve.

Në intervistën me Dumën, Osmani i dha merita vetës për bindjen e aleatëve të Kosovës që të pranojnë mbajtjen e zgjedhjeve në veri të Kosovës në prill të këtij viti.

“Po e marr një shembull. Fillimisht në koordinim me aleatët tanë, por edhe për shkak të situatës së sigurisë në veri, vendosa si presidente, dhe pas pajtimit të të gjitha partive politike në Kosovë, që t’i shtyjë zgjedhjet nga dhjetori në prill. Pak para zgjedhjeve të 23 prillit, në fakt, aleatët tanë nuk ishin pro në fillim që t’i mbajmë zgjedhjet, mirëpo mu deshën takim pas takimit, koordinim pas koordinimi, përpjekje pas përpjekjesh që në fund edhe ata të binden, me argumente natyrisht pse është vendimi i duhur që ato të mbahen dhe të mos shtyhen edhe një herë. Dhe ata u bindën.” – theksoi ajo.

Pas lobimit të suksesshëm në bindjen e aleatëve, sipas Osmanit, erdhi edhe deklarata e 27 vendeve të BE-së në favor të mbajtjes së zgjedhjeve në veri.

“Dhe i gjithë QUINT-i dhe pastaj 27 shtetet e BE-së me deklaratë pro mbajtjes së zgjedhjeve edhe pse serbët patën paralajmëruar bojkot.” – tha ajo tutje.

Por, gjithnjë sipas zonjës Osmani, kjo nuk ishte e vetmja situatë ku ajo kishte ndikuar në bindjen e aleatëve të Kosovës. Osmani sërish përdori të njëjtat togfjalëshe për të përshkruar lobimin e saj te aleatët për të njohur legalitetin dhe legjitimitetin e kryetarëve të zgjedhur në veri.

“Pastaj pas mbajtjes së zgjedhjeve kishte pikëpyetje se a do ta pranojnë legjitimitetin e kryetarëve që ishin zgjedhur me pak vota. Duhej prapë që të bisedoja me ta, bisedë pas bisede, përpjekje pas përpjekjesh, koordinim pas koordinimi, dhe në fund u bindën të gjithë aleatët që të dalin dhe të pranojnë edhe legalitetin e procesit, edhe ligjshmërinë e saj” – tha zonja Osmani në emisionin e moderatorës Grida Duma.

Në intervistë, Osmani tregoi se e refuzon logjikën e dyzuar, që “obligon” një zgjedhje të paqenë në mes mbrojtjes se sovranitetit dhe aleatëve të Kosovës, më saktësisht ShBA-së.

“Unë e refuzoj atë qasjen ku duhet të zgjedhësh mes mbrojtjes së sovranitetit dhe interesit të shtetit tënd dhe aleatit tënd strategjik. Nuk ke nevojë të zgjedhësh, sepse të dyjat janë e njëjta.” – tha ajo.

Në një fjali antologjike, zonja Osmani theksoi se koordinimi me aleatët nuk e bën më pak sovran shtetin e Kosovës.

“Unë mendoj që koordinimi me aleatët nuk të bën më pak sovran në asnjë moment, përkundrazi e bën diferencën në kontekstin që koordinimi me ta nënkupton më shumë sukses, më shumë rezultate, më shumë rezultate pozitive për Kosovën.” – theksoi ajo.

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *