Një fenomen mjaft shqetësues në Kosovë janë bërë vjedhjet e shpeshta nëpër banesa, shtëpi, institucione financiare, vetura e dyqane të qytetarëve, duke shkaktuar humbje e pasiguri, raporton Gazeta Sinjali.
Një rast i tillë ka ndodhur dje pasdite në një gurthyes në fshatin Siboc të Obliqit, ku persona të panjohur kanë dëmtuar dhe kanë vjedhur disa pjesë të trafos së rrymës elektrike.
Sinjali mëson se vlera a trafos është rreth 40 mijë euro, por nuk dihet vlera e dëmit të shkaktuar.
Njësitet policore kanë dalë në vendin e ngjarjes ku kanë kryer ekzaminimet e nevojshme që çojnë në zbardhjen e rrethanave të rastit. Momentalisht nuk ka persona të dyshuar, mirëpo janë ndërmarrë të gjitha veprimet hetimore për identifikimin e tyre.
Me urdhër të prokurorit, rasti është iniciuar ‘Vjedhje e rëndë’, ndërsa veprimet tjera ligjore do merren posa të kapen të dyshuarit.