Visar Azemi: “Trepça” po ushtron presion ndaj minatorëve që janë futur në grevë

Visar Azemi nga Lidhja Demokratike e Kosovës (LDK), ka reaguar ndaj ndërrmarjes “Trepça”, duke thënë se po ushtron presion ndaj minatorëve që janë futur në grevë.

Reagimi i tij i plotë!

Hakmarrja e pushtetit kundër minatorëve!

Ndërmarrja “Trepça” tash e disa ditë po ushtron presion ndaj rreth 200 minatorëve që janë futur në grevë. Këtë po e bën në forma të ndryshme e së fundi ka filluar ta bëjë publikisht përmes një gjuhe linçuese e kërcënuese.

Së fundi, U.D. i Kryeshefit Ekzekutiv të ndërmarrjes “Trepça”, Enis Abdurrahmani, dorëheqja e të cilit ka qenë kerkesë e minatorëve, paska marrë vendim për largimin e përkohshëm nga puna të kryetarit të Sindikatës, Ibrahim Jonuzi dhe katër punonjësve të tjerë. Sipas kësaj figure të ngjyrosur politikisht e të instaluar nga pushteti aty, 5 punonjësit e Trepçës e kanë sabotuar punën dhe keqpërdorur të drejtën në grevë. Madje, ai ka hedhur akuza se ata po rrezikojnë shëndetin e jetën e punëtorëve.

Kjo masë disiplinore me karakter kërcënues e me tendencën për t’i frikësuar minatorët, më shumë se për kryeshefin, flet për pushtetin e VV-së. Kjo parti që si opozitë thirriste për mbrojtjen e të drejtave të punëtorëve e bashkëpunonte me sindikatat, sot është shndërruar në armiken më të madhe të tyren dhe në shtypëse brutale të të drejtave të punëtorëve.

Shpërfillja e kërkesave që kanë minatorët, manipulimi me shifra lidhur me pagat e tyre, tentimi të kontrollohen veprimet e minatorëve e përpjekja për ta kapur sindikatën me veprime të tilla, janë të papranueshme. Kjo flet për qasje autoritare të këtij pushteti që s’kursehet nga asnjë veprim për t’i ecur përpara interesat e veta.

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *