Një ekip sportistësh nga Kosova i ka shpëtuar mrekullisht lëkundjeve të forta sizmike të ndodhura në orët e fundit. Bëhet fjalë për ekipin e mundjes së Kosovës. Grupi i sportistëve është pjesëmarrës në Turneun ndërkombëtar “12 February”. Ky eveniment sportiv do të zhvillohej në Kahramarash të Turqisë.
Lajmi për gjendjen e tyre të mirë, e ka bërë me dije Sekretari i përgjithshëm i Federatës së Mundjes të Kosovës, Genci Fazlija. Ai përmes një postimi në Facebook thotë se sportistët nga Kosova kanë shpëtuar për mrekulli, pasi të gjitha objektet e tjera rreth hotelit ku ata qëndronin u shembën nga goditja e fortë.
“Të gjitha objektet afër hotelit ku ishim të vendosur ekipi i FMK-së janë rrafshuar për tokë. Mundësit tanë treguan heroizëm të paparë duke ndihmuar njerëzit në gërmadha. Ekipi i FMK-së për momentin është vendosur ne qytetin Kajseri të Turqisë”, shkruan Fazlija në një postim në Facebook.