Mbrojtja e Veselit kërkon që ta marrë në pyetje dëshmitarin në seancë të hapur

Me të filluar seanca e së enjtes, avokati mbrojtës i Kadri Veselit, Ben Emmerson ka kërkuar që pyetjet e tij drejtuar dëshmitarit të 30-të të jenë në seancë publike.

Kërkesën e Emmersonit e kundërshtoi prokurori Matt Halling, por kryetari i trupit gjykues Charles Smith III e aprovoi kërkesën e Prokurorisë dhe seanca vazhdoi e mbyllur, raporton “Betimi për Drejtësi”.

“Do iu bëj fillimisht disa pyetje sqaruese në emër të Kadri Veselit”, tha avokati Emmerson.

Por, prokurori Halling ia rikujtoi se janë në seancë publike “Jemi në seancë publike, dua t’ua bëj me dije”.

“Po, unë dua ta pyes dëshmitarin në seancë të hapur, me përjashtim të ndonjë nevoje të jashtëzakonshme për të kaluar në seancë private”, u përgjigj Emmerson.

Halling tha se ua kanë dërguar një e-mail, ku kanë treguar se dëshmitari i 30-të është masa mbrojtëse.

“Kështu që është e nevojshme që të gjitha pyetjet dhe kundërpyetjet të bëhen në seancë private”, e vazhdoi diskutimin prokurori.

Megjithatë, Smith tha se duhet të kalohet në seancë private.

“Me vjen keq, duhet të kalojmë në seancë private. E kuptoj që doni që seanca të jetë publike, por ky dëshmitarë është me masa mbrojtëse dhe duhet marrë parasysh”, deklaroi ai.

Paraprakisht, kryetari i trupit gjykues ia rikujtoi dëshmitarit që ende është nën betim dhe duhet ta thotë të vërtetën.

“Mos harroni të na thoni ku i bazoni njohuritë, faktet dhe rrethanat për të cilat do të na jepni përgjigje. Ju rikujtoj se jeni ende në betim për të thënë të vërtetën”, tha kryetari i trupit gjykues.

Seancën e sotme Jakup Krasniqi është duke e përcjellë përmes video-lidhjes, ndërsa të akuzuarit e tjerë janë në sallën e gjyqit.

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *