Vesa Luma dhe Big Basta bashkë me djalin e tyre Lian kanë jetuar për disa vite me radhë në Zelandë të Re, atje ku mendohej se familja simpatike do të vazhdojë jetën pa ndonjë kohë të caktuar kthimi.
Por kësaj arratisje që është më shumë se 30 orë me avion larg Shqipërisë, i erdhi fundi.
Ata kanë zbuluar se janë kthyer përfundimisht në Shqipëri për të vazhduar jetën mes Prishtinës dhe Tiranës.
E ftuar pasditen e sotme në “Rudina”, Vesa Luma rrëfeu për jetën më shumë se 6-vjeçare në Zelandën e Re, benefitet që ofron ai vend, por edhe për arsyen pse ajo dhe Big Basta morën vendimin për t’u rikthyer në Shqipëri: “Në përgjithësi, kemi qëndruar 6 vjet. Unë kam ardhur dhe kam ikur kohë pas kohe, por nuk kam mundur të adaptohem 100 për qind, por kur është fëmija në mes, duhen bërë ca sakrifica që shumica prej nesh i di. Unë edhe Geri nuk jemi njerëz që e duam stabilitetin, jemi këtu dhe këtu do rrimë, këtu do përfundojmë. E quajmë më shumë veten banorë të globit, por sa herë kthehemi në Shqipëri dhe Kosovë, sikur na ngre vendi, familja” –tha ajo.
Më tej, Vesa Luma shton se para se të merrnin një vendim, u përpoqën të mendojnë për të mirën e përbashkët të familjes, por sidomos për Lianin, i cili tashmë është shumë i lumtur dhe ka nisur shkollën: “Kur i vumë në peshore, thamë që duhet t’ia lejojmë edhe djalit të rritet me gjyshërit, të përjetojë edhe kënaqësinë e të qenit fëmijë bashkë me gjyshërit, me kushërinjtë, me shoqëri të re, me fjalë shqip më shumë dhe ja ku jemi”.