Departamenti Amerikan i Shtetit përmes një deklarate të publikuar të premten i ka kërkuar Kosovës që ta zgjasë afatin për zbatimin e vendimit për targa.
“Shtetet e Bashkuara të Amerikës, krahas partnerëve tanë ndërkombëtarë, i kërkojnë qeverisë së Kosovës që të zgjasë periudhën e zbatimit të vendimit për targat. Kosova ka të drejtë të zbatojë regjimin e targave sipas Marrëveshjes së Brukselit, por zgjatja e afatit është në interes të përparimit në dialogun e lehtësuar nga BE-ja për normalizimin e marrëdhënieve Kosovë-Serbi”, thuhet në reagimin e ShBA-së.
Këtu përmendet se shteti amerikan është i zhgënjyer dhe i shqetësuar me Qeverinë e Kosovës pasi nuk po i dëgjon kërkesat e tyre.
“Shtetet e Bashkuara janë të zhgënjyera dhe të shqetësuara që Qeveria e Kosovës ka refuzuar kërkesat për ta bërë këtë nga partnerët e saj ndërkombëtarë. Kosova dhe Serbia duhet të punojnë urgjentisht dhe në mënyrë fleksibël për të arritur një marrëveshje gjithëpërfshirëse për marrëdhëniet e normalizuara, me në qendër njohjen reciproke”, përfundon komunikata.