Ramadan Osmani, vëllai i presidentes së vendit, Vjosa Osmanit, është përzgjedhur për t’u punësuar në Bankën Qendrore të Kosovës (BQK) në pozitën: mbikëqyrës i lartë bankar, raporton Kallxo.com.
Sipas tyre, njoftimi për kandidatin e caktuar për pozitën mbikëqyrës i lartë bankar në Departamentin e Mbikëqyrjes Bankare është bërë në hyrje të objektit të BQK-së. Ky institucion, përkundër që publikon të gjitha vendimet rreth funksionimit të tij, këtë njoftim për punësimin e vëllait të presidentes nuk e ka publikuar fare në ueb-faqe.
Sipas njoftimit të BQK’së, Ramadan Osmani ka arritur të marrë 176 pikë (në mesatare) në testin me shkrim dhe intervistën nga 200 sa ishte totali i pikëve të mundshme.
Në garë për këtë pozitë ishin katër kandidatë, ndërsa kandidati i dytë ka marrë 155 pikë, apo 21 pikë më pak se Osmani.
Në ueb-faqen e Bankës Qendrore të Kosovës nuk ka asnjë njoftim për shpallje të konkursit, kriteret, procedurat dhe rezultatet e konkursit.