Vdekja e gruas në Malishevë pasi heqi dhëmbin, kërkohet paraburgim për dy të arrestuarit

Një grua rreth moshës 35 vjeçare ka humbur jetën në Malishevë, pasi që e njëjta ishte paraqitur në një klinikë në këtë komunë për hequr një dhëmb ku më pas i ishte komplikuar gjendja shëndetësore.

Pas komplikimit të gjendjes shëndetësore e njëjta ishte dërguar për trajtim në QKUK, mirëpo viktima kishte arritur pa shenja jete.

Lidhur me rastin Policia e Kosovës të mërkurën njoftoi se ka arrestuar dy persona, një burrë dhe një grua të dyshuar për trajtim të pandërgjegjshëm mjekësor.

E tashmë Prokuroria Themelore në Gjakovë ka parashtruar kërkesën për paraburgim për dy të arrestuarit.

Kështu ka bërë të ditur për Telegrafin, zyrtari i lartë për bashkëpunim profesional në këtë Prokurori, Hekuran Batusha.

“Prokurori i rastit ka parashtruar kërkesën për paraburgim ndaj të dyshuarit XH.K për veprën penale “Trajtim i pandërgjegjshëm mjekësor” dhe veprën tjetër penale “Ushtrim i kundërligjshëm i veprimtarisë mjekësore ose farmaceutike”.

Ndërkaq për të dyshuarën H.K gjithashtu është bërë kërkesa për paraburgim për veprën penale “Ushtrim i kundërligjshëm i veprimtarisë mjekësore ose farmaceutike” si dhe “Rastet e posaçme të falsifikimit të dokumenteve””, ka thënë Batusha.

Ministria e Shëndetësisë gjatë të mërkurës në një njoftim për media, tha se institucioni privat shëndetësor në Malishevë, në të cilin u trajtua 35-vjeçarja që shkoi për ta hequr një dhëmb e vdiq pasi iu komplikua gjendja, ka ushtruar veprimtari ilegale.

Në një njoftim për media lidhur me këtë rast, Ministria ka bërë të ditur se përmes Inspektoratit Shëndetësor, në bashkëpunim me Policinë e Kosovës, “menjëherë kanë ndërmarrë të gjitha veprimet konform kompetencave pas rastit tragjik që rezultoi me fatalitet për një qytetare”.

Ministri i Shëndetësisë, Arben Vitia ka reaguar lidhur me këtë rast, ku tha se të gjithë janë të tronditur.

Ai ka deklaruar se ky rast tragjik shënon një moment vendimtar për ndalimin e pandëshkueshmërisë dhe papërgjegjshmërisë në praktikat e licencimit.

“Kam kërkuar me gjithë fuqinë që më jep ligji që të kontrollohet çdo hap e veprim i komisionit vlerësues që i paraprinë licencimit. Dhe çdo procedurë. Ndaj përgjegjësve, do të ketë masa. Në rast të evidentimit të shkeljeve penale ato do të procedohen menjëherë në organet e drejtësisë”, ka shkruar Vitia.

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *