Komisioneri i BE-së për Zgjerim dhe Fqinjësi, Oliver Varhelyi, sot ka ardhur në Kosovë në një vizitë zyrtare.
Aktualisht, ai ka nisur takimin me presidenten Vjosa Osmani, ndërsa pritet të vazhdojë për në Kryeministri për t’u takuar me kryeministrin Albin Kurti.
Për agjendën “intensive” ka treguar edhe shefi i Zyrës së BE-së në Kosovë, Tomas Szunyog, i cili tha se Varhelyi sot do të shkojë edhe në komunat veriore të vendit.
“I lumtur të pres Komisionerin e BE-së Oliver Varhelyi për një vizitë që do të thellojë marrëdhëniet BE-Kosovë dhe rrugën europiane. Sot ai do të ketë një agjendë intensive, duke u takuar me presidenten Vjosa Osmani, kryeministrin Albin Kurti, zëvendëskryeministrin Besnik Bislimi dhe ministrat e kabinetit. Ai do të vizitojë edhe Mitrovicën Veriore”, ka shkruar shefi i Zyrës së BE-së në Twitter.
Për detajet e agjendës së tij ka shkruar edhe Komisioni Europian.
“Këto takime do të jenë një mundësi për të rishikuar marrëdhëniet BE-Kosovë dhe për të diskutuar zhvillimet e fundit si dhe reformat kyçe, duke përfshirë fushën e reformës në drejtësi, tranzicionit të energjisë dhe luftës kundër krimit të organizuar dhe korrupsionit”, thuhet në njoftimin e KE.