Dje rreth orës 16:15 ka ndërruar jetë një person pas një trajtimi gati dy javor në repartin e Mjekimit Intensiv në Qendrën Klinike Universitare të Kosovës.
Ai ndodhej në gjendje të rëndë si pasojë e një sulmi fizik që i ishte bërë më 18 qershor, raporton Gazeta Sinjali.
37-vjeçari ishte sulmuar mbrëmjen e 18 qershorit në rrugën ‘Bajram e Gursel Sylejmani’, ku si pasojë e lëndimeve të rënda që mori, ishte dërguar me urgjencë në Emergjencën e Spitalit rajonal të Ferizajt por që për shkak të gjendjes së rëndë shëndetësore, ishte transferuar në QKUK për trajtim të mëtutjeshëm mjekësor.
Njësitet policore kanë ndërmarrë të gjitha veprimet hetimore që të kapet i dyshuari N.A. 46-vjeçar i cili ka arritur që të ikë nga duart e organeve të rendit dhe ndodhet në arrati që nga dita kur ndodhi rasti.
Me vendim të prokurorit, trupi i pajetë i viktimës është dërguar në Institutin e Mjekësisë Ligjore për obduksion.