U caktohet seanca e radhës Hashim Thaqit dhe të tjerëve

Michael Doyle, zëdhënës i Dhomave të Specializuara të Kosovës (DhSK) në Hagë, përmes platformës online “Zoom”, ka bërë të ditur se cilat janë pikat e rendit të ditës në konferencën e ardhshme ndaj Hashim Thaçit, Kadri Veselit, Rexhep Selimit dhe Jakup Krasniqit.

Gjatë konferencës për medie të mbajtur të enjten, Doyle ka dhënë informacione të përditësuara mbi zhvillimet e fundit lidhur me procedurat gjyqësore dhe veprimtaritë në këtë gjykatë, raporton “Betimi për Drejtësi”.

Fillimisht, ai ka informuar se gjykatësi i procedurës paraprake caktoi mbajtjen e konferencës së ardhshme për ecurinë në çështjen gjyqësore Hashim Thaçi, Kadri Veseli, Rexhep Selimi dhe Jakup Krasniqi për të enjten, 8 shtator, në orën 13:30, dhe se u kërkoi palëve dhe mbrojtësit të viktimave, të dorëzojnë parashtrimet e tyre me shkrim, nëse kanë, para seancës dhe jo më vonë se të hënën e ardhshme.

Ai tha se ndër pikat e rendit të ditës të seancës së të enjtes së ardhshme, gjykatësi ka kërkuar përditësime në lidhje me ecurinë e nxjerrjes së provave prej Zyrës së Prokurorit të Specializuar për mbrojtjen, ecurinë e hetimeve të mbrojtjes dhe nëse mbrojtësi i viktimave ka ndërmend të paraqesë prova, shkruan gazeta Neutral.

Tutje, ai tha se më 26 gusht, gjykatësi i procedurës paraprake lëshoi vendimin mbi kërkesat e ekipeve të mbrojtjes për apelimin e disa pikave në lidhje me trajtimin e informacionit konfidencial dhe kontaktet me dëshmitarët.

Sipas tij, në këtë vendim, gjykatësi miratoi leje për apelimin e disa pikave dhe gjithashtu rrëzoi kërkesën për apelimin e disa pikave të tjera.  Ndërkaq, shtoi se kryetarja e Dhomave të Specializuara të Kosovës caktoi panelin e Gjykatës së Apelit për shqyrtimin e këtyre apeleve.

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *