Trossard shumë afër Arsenalit

Leandro Trossard do t’i përforcojë rradhët e Arsenalit. Sulmuesi i spikatur i Brightonit do të jetë afrimi i madh i “Topçinjve” në këtë afat kalimtar. Sipas informatave të fundit, ai do t’u nënshtrohet testeve mjekësore gjatë ditës së nesërme.

E humbën nga duart Mychajlo Mudryk, por Arsenali nuk ka qëndruar statik, pa lëvizur në drejtime tjera. Drejtuesit e klubit londinez në kohë rekord kanë arritur që ta arrijnë një ujdi me Brighton për të nënshkruar me sulmuesin belg Trossard.

Pasi kontrata e sulmuesit 28-vjeçar me Brighton skadon në verën e vitit të ardhshëm, edhe çmimi i kartonit të tij ka zbritur. Kështu që, sipas raportimeve të ekspertit të transferimit të lojtarëve dhe njëherësh gazetarit të mirënjohur, Fabrizio Romano, Arsenal do të paguajë 21 milionë funta, si dhe 6 milionë funta tjerë bonuse në arkat e klubit të Brightonit.

Gjithmonë sipas raportimeve të gazetarit në fjalë, sulmuesi Trossard nesër do të udhëtojë në Londrën Veriore për t’i kryer testet mjekësore. Ky është hapi i fundit para se ai të zyrtarizohet si lojtari i ri i organikës së “Topçinjve”, që po marshon me një formë të mrekullueshme drejt tiullit.

Mësohet se Trossard do të nënshkruhet kontratë trevjeçare me Arsenalin. Brightoni nuk e ka penguar këtë transferim, pasi është shfaqur i kënaqur me çmimin e ofruar nga klubi londinez.

Në këtë sezon të Premierligës ai ka shënuar 7 gola në 16 paraqitje, duke kontribuar edhe me 3 asiste të tjera. Transferimi i tij tek Arsenal është bërë edhe më i nevojshëm pas lëndimit që ka pësuar Gabriel Jesus javë më parë, e që nuk pritet të rikthehet deri në muajin shkurt.

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *