Të shtënat me armë zjarri janë dukuri të shpeshta dhe të rrezikshme.
Ka pasur raste kur nga të shtënat festive, kanë pësuar edhe me jetë zyrtarët policorë. Për një rast të gjuajtjes me armë zjarri ku dyshohet të jetë i përfshirë edhe një zyrtar policor kanë nisur së fundmi hetimet, raporton Gazeta Sinjali.
Burimet nga Prokuroria kanë bërë të ditur ekskluzivisht se një zyrtar policor tashmë po hetohet nën dyshimin se me armën e tij zyrtare u gjuajt për qejf, në një villë në fshatin Jezerc të Ferizajt, dje në orët e pasdites. Sipas informacioneve të para, zyrtari policor i përfshirë në këtë rast është punonjës në stacionin policor të Gjakovës.
Polici që ishte bashkë me një shok dhe dy mike të tyre, të ndarë në çifte në dy vetura, po dyshohen se kanë shkuar në oborrin e villës (emër i njohur për redaksinë) në Jezerc dhe kanë shtënë me armë zjarri disa herë, e më pas janë larguar nga vendi i ngjarjes.
Prokuroi i Shtetit ka autorizuar nisjen e hetimeve, pasi Policia ka marrë informacionet nga një qytetar, në mënyrë që të mblidhen prova që dëshmojnë në lidhje me rastin.