Një ngjarje tronditëse ka ndodhur në fshatin Randobravë – Prizren, ku pas një konflikti në një familje, kryefamiljari dyshohet se ka tentuar ta vrasë vajzën e tij 31-vjeçare.
Rastin e ka konfirmuar Policia e Kosovës përmes një komunikate për media, ku bëhet e ditur se 59-vjeçari dyshohet se ka shtënë tri herë me armë zjarri në drejtim të vajzës së tij.
Por më e keqja u parandaluar, pas ndërhyrjes së djalit të të dyshuarit, i cili ia ka marrë armën me forcë dhe më pas 59-vjeçari është larguar nga shtëpia.
“Me datë 14 prill 2023, rreth orës 07:00, në fshatin Randobravë , KK Prizren, një person i dyshuar (N. H. 59 vjeç), pas një konflikti verbal me familjarët e tij ka nxjerr armën e zjarrit- pistoletën dhe ka shtën tri here në drejtim të vajzës së tij (A. H. 31 vjeçe). Djali i të dyshuarit ka arrit që me forcë të ia merr armën nga dora babait të tij dhe i dyshuari është larguar nga shtëpia. I dyshuari fillimisht nëpërmes telefonit ka raportuar policin se e ka gjuajtur në drejtim të vajzës së tij dhe se nuk e din a e ka vrarë apo jo dhe në ndërkohe është vetë dorëzuar në Stacionin Policor Prizren“, thuhet në njoftim.
Pas dorëzimit të të dyshuarit, njësitë policore dhe ekipi mjekësor i Emergjencës kanë dalë në vendin e ngjarjes për të kryer ekzaminimet e nevojshme, ndërkohë që në stacion policor janë paraqitur fëmijët e të dyshuarit të cilët kanë dorëzuar armën e zjarrit.
Policia njofton se e gjithë ngjarja ka përfunduar pa të lënduar apo vrarë.
I dyshuari është intervistuar lidhur me rastin dhe më pas me urdhër të prokurorit është dërguar në mbajtje. 59-vjeçari do të hetohet nën dyshimet për kryerjen e veprës penale ‘Vrasje në tentativë’.