Shumë kosovarë që planifikuan të udhëtojnë sot nga Aeroporti i Prishtinës për Stuttgart nuk arritën atje për shkak të një defekti teknik që u shfaq në aeroplan, çka bëri që fluturimi të anulohej. Sinjali mëson se kjo situatë shkaktoi panik te udhëtarët, disa prej të cilëve kanë folur në kushtet anonimiteti për Sinjalin.
Qytetarët kanë bërë të ditur se aeroplani i ‘Trade Air’ pati një problem i cili nuk arriti të evitohej, duke u detyruar kështu të qëndrojnë për rreth 2 orë brenda. Përkundër tentimeve, udhëtarët u njoftuan se problemi nuk mund të zgjidhej, prandaj fluturimi duhet të anulohej deri në një njoftim tjetër.
Në pamjet e dërguara shihen disa persona teksa kontrollojnë në një pjesë të jashtme të aeroplanit, por që nuk dihet cili ka qenë defekti që e pamundësoi fluturimin.
Sipas qytetarëve, nga udhëtarët që i kanë takuar në aeroport kanë marrë vesh se dyshohet se një aeroplan tjetër i kësaj kompanie edhe mbrëmë ka pasur një problem. Kjo pasi sipas tyre, aeroplani ka ateruar me vonesë, për shkak se ka humbur nga radari, por që një gjë të tillë ende nuk u konfirmua.