Transportonte drogë me furgon, arrestohet nga Policia

Policia e Kosovës ka njoftuar se me datën 05.09.2022 rreth orës 10:00, hetuesit e Sektorit qendror të antidrogës në Prishtinë kanë arritur deri tek informacionet relevante, ku dyshohej se një person është në posedim, gjegjësisht është duke bërë transportimin e një sasie të substancës narkotike të llojit “Marihuanë” me automjet.

Menjëherë janë ndërmarr veprime të nevojshme dhe personi i dyshuar shtetas shqiptar është takuar në rrugën Prizren-Prishtinë, në afërsi të Komoranit me automjetin-kombi (furgon) Mercedes ngjyrë të bardhë.

“Njësitet policore dhe ato të antidrogës në bashkërendim, konkretisht NjKA (Njësia e Kontrollit të Autostradës) ka ndaluar automjetin e lartcekur kombi (furgon) afër rrethit të autostradës në hyrje të Fushë Kosovës. Është kryer kontrolla fillestare nga zyrtarët e trafikut dhe pas dyshimeve të ngritura është bërë një kontroll më e detajuar nga hetuesit e Sektorit qendror të antidrogës ku është arritur të zbulohet një bunker (vend i kamufluar për narkotikë) në pjesën e prapme të ulëseve, ku në brendi të saj (bunkerit) kishte narkotikë të dyshuar të llojit Marihuanë”,thuhet në njoftimin për media.

Gjithashtu, si dëshmi nga i dyshuari janë sekuestruar: 60.450 lekë, 329 euro, 250 funta të Anglisë si dhe dy telefona celuar Nokia me sim kartelë të Kosovës, kurse një Iphone me sim kartelë të Shqipërisë.

“Pas matjes së dymbëdhjetë (12) paketimeve me narkotikë pasha e tyre ka rezultuar të jetë: tetë (8) kilogram e 740 gramëve.I dyshuari është arrestuar dhe me urdhër të prokurorit pas intervistimit nga hetuesit e antidrogës ndalohet për 48 orë për procedura të mëtejme”,theksohet tutje në njoftim.

Gjithashtu, sot në një operacion tjetër policor të antidrogës në Prizren me urdhër të organeve të drejtësisë është realizuar një bastisje me që rast është arrestuar një person i dyshuar i cili ndodhej në kërkim, si dhe janë sekuestruar dëshmi relevante për procedurë ligjore.

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *