Rada Trajkoviq, Këshilltarja politike e ministrit për Komunitete dhe Kthim, Nenad Rashiq, ka njoftuar se vajza e saj është ndaluar në aeroportin e Beogradit nga policia kufitare.
Lajmin e ka bërë të ditur vetë Trajkoviq përmes një postimi në llogarinë e saj në Twitter.
“Vajza ime e cila është shtetase britanike, sapo ka zbritur në aeroportin e Beogradit. Ajo u ndalua nga policia kufitare. Kjo është përtej masës”, ka shkruar Trajkoviq.
Ndryshe, Trajkoviq, të shtunën e 17 dhjetorit, është liruar nga spitali në Prokuple.
Rada Trajkoviq, kryetarja e Lëvizjes Evropiane të Serbëve nga Kosova dhe këshilltare e ministrit të Kosovës për Komunitete dhe Kthim, ka pothuajse 12 orë në vijën administrative, ku policia serbe e ndaloi derisa ajo po kthehej në Serbi.
Ajo ka shkruar se që 12 orë nuk i është ofruar ushqim, ujë apo ilaçe që i nevojiten.
“12 orë në linjë administrative rrugës nga Kosova. Pa ushqim, pa ujë, pa ilaç, pa arsye. Gjithë natën, në mes të dimrit, në makinë. Dokumentet e konfiskuara, pa komunikim. A do të reagojë dikush ndaj kësaj torture?”, ka shkruar ajo.
Ndërkaq, të enjten, Trajkoviq u ndalua për herë të parë nga policia serbe në vendkalimin administrativ, Merdare, gjatë hyrjes në Kosovë.
Trajkoviq, po ashtu kishte njoftuar se që nga e diela e 11 dhjetorit është kërcënuar vetë ajo dhe familja e saj.
Ajo ka fajësuar presidentin e Serbisë, Aleksandër Vuçiq, për të njëjtat kërcënime.
“Që nga dje kam pranuar kërcënime jo vetëm unë, por edhe fëmijët e mi. Vendndodhja e atyre që dërgonin kërcënimet është identifikuar. Le të shkruhet këtu: përgjegjësia e plotë për sigurinë e familjes sime dhe e imja është presidenti i Serbisë, Aleksandër Vuçiq”, shkroi ajo.