Një ngjarje e rëndë ka ndodhur sonte rreth orës 19:00 në fshatin Baks të komunës së Skenderajt, ku si pasojë e të shtënave me armë zjarri humbi jetën 47-vjeçari Betim Musliu dhe mbetën të plagosur dy persona tjerë, përfshirë të dyshuarin, Shukri Rexhepi, raporton Gazeta Sinjali.
Rastin e ka konfirmuar zëdhënësja e Policisë së Kosovës për rajonin e Mitrovicës, Fexhrie Pllana, e cila ka bërë të ditur për Sinjalin se dy të plagosurit janë dërguar në Qendrën Klinike Universitare të Kosovës për të marrë ndihmë mjekësore.
Lidhur me gjendjen shëndetësore të të plagosurve ka folur mjekja kujdestare në QKUK, Dafina Basholli, e cila njoftoi se njëri nga ta ka marrë plagë në këmbë, ndërsa tjetri në pjesën abdominale, por që gjendja e tyre tashmë është stabile dhe së shpejti do të lirohen nga spitali.
Sinjali mëson se vrasja ndodhi për motive të ulëta, pasi dyshohet se Musliu kishte kërkuar nga një anëtar i familjes së Rexhepit, që të mos vozisë shpejt, çka kishte shkaktuar një mosmarrëveshje mes palëve të përfshira në rast.