Dhjetë persona janë shoqëruar sot në stacionin e Policisë së Kosovës në Prishtinë, pasi që të njëjtit kanë shqetësuar qytetarët në sheshin “Zahir Pajaziti” në kryeqytet.
Personat e lartcekur, kanë ecur nëpër shesh të maskuar duke shkaktuar kështu shqetësim tek qytetarët që ishin duke kaluar aty.
Nga policia kanë thënë për lajmi.net se personat e dyshuar janë shoqëruar në stacion dhe ndaj tyre janë shqiptuar gjoba.
“Sot rreth orës 18:00, në shesh në Prishtinë policia ka ndaluar dhe shoqëruar në stacion policor 10 persona. Personat në fjalë të cilët me vete kishin dy qenë, kanë parakaluar në sheshet e Prishtinës të maskuar duke ju shkaktuar shqetësim qytetarëve që ishin prezent në atë zonë”, kanë thënë nga policia.
Pas intervistimit, në koordinim me Prokurorin e Shtetit, dhjetë të dyshuarit janë liruar dhe ndaj tyre janë shqiptuar gjoba për prishje të rendit dhe qetësisë publike.