Tjetër krim në Serbi: 14-vjeçari vret vëllain e tij 12-vjeçar

Një ngjarje e rëndë ka ndodhur në afërsi të Mlladenovacit në Serbi, ku një 14-vjeçar dyshohet se ka privuar nga jeta vëllain e tij 12-vjeçar, raporton Gazeta Sinjali.

Siç raporton Nova.rs, i mituri dyshohet të ketë shtënë me pushkë gjuetie në drejtim të vëllait të tij, duke i shkaktuar atij plagë vdekjeprurëse.

Lidhur me rastin është arrestuar gjyshja e të miturve, e cila dyshohet se posedonte një pushkë gjuetie pa leje dhe të njëjtën e mbante në mënyrë joadekuate në shtëpinë ku jeton.

Asaj i është caktuar masa e ndalimit policor, teksa i mituri pritet të dalë para Gjykatës së Lartë në Beograd.

Kujtojmë se muaj më parë Serbia ishte tronditur nga krimi makabër i 14-vjeçarit, i cili vrau disa nxënës dhe rojën e shkollës së tij. Po ashtu një tjetër i ri vrau disa persona në disa fshatra të Mlladenovcit, në territorin e qytetit të Beogradit.

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *