Avokati i dëshmitarit të 29-të: Klienti im s’është i gatshëm të dëshmojë, por i gatshëm të shkojë në burg

Avokati mbështetës i dëshmitarit të 29-të, ka thënë se klienti i tij nuk është ndier mirë, duke thënë se ai nuk është i gatshëm të dëshmojë, por se është i gatshëm të shkojë në burg.

Në këtë mënyrë është shtyrë dëshmia e dëshmitarit të 29-të në rastin ndaj ish-krerëve të UÇK-së, Hashim Thaçi, Kadri Veseli, Rexhep Selimi e Jakup Krasniqi deri të hënën e 16 tetorit.

Pavarësisht që pas rifillimit pas pauzës, avokati i dëshmitarit kishte kërkuar një muaj ditë kohë, por gjykatësi refuzoi atë duke thënë se kërkesa aprovohet pjesërisht, pra shtyhet dëshmia deri më 16 tetor.

“Klienti im është shumë i stresuar, nuk është i gatshëm të japë dëshmi, por i gatshëm të shkojë në burg”, kishte deklaruar avokati i dëshmitarit të 29-të.

Avokati mbështetës i dëshmitarit 29-të, e tha këtë pasi kanë filluar pyetjet e prokurores Clara Lawson për dëshmitarin.

Tutje, avokati kërkoi një pushim 30 minutësh që edhe njëherë të konsultohet me dëshmitarin e 29-të të Prokurorisë Speciale, që të vendoset për hapat e mëtutjeshëm.

Paraprakisht, prokurorja Clara Lawson e pyeti dëshmitarin lidhur me një intervistë që sipas saj e ka dhënë në vitin 2004, por ai e mohoi ta këtë bërë.

Në seancën e së mërkurës në Dhomat e Specializuara të Kosovës (DhSK) në Hagë, në gjykimin ndaj ish-krerëve të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës (UÇK), Hashim, Thaçi, Kadri Veseli, Rexhep Selimi dhe Jakup Krasniqi, kryetari i trupit gjykues, Charles Smith III ka njoftuar se ka caktuar një avokat mbështetës për dëshmitarin e 29-të të mbrojtur të Prokurorisë, duke informuar se është i lirë që të konsultohet me të.

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *