sh-presidenti i Kosovës, Hashim Thaçi, në një intervistë të dhënë për Nacionalen nga Haga, ka thënë se me Serbinë duhet të arrihet paqe e përhershme, me njohje reciproke e ligjërisht obliguese.
Thaçi tha se sa më shumë vonohet kjo, që më e vonuar do të jetë Kosova në BE e NATO.
“Me Serbinë duhet të arrihet paqe e përhershme, me njohje reciproke, ligjërisht obliguese. Sa më shumë që vonohet kjo marrëveshje, aq më e vonuar do të jetë Kosova në NATO dhe BE, e aq më e zbehtë do të jetë mbështetja e ShBA-së .Përvoja ime më tregon se Brukseli e mbështet Kosovën, për aq sa e inkurajon dhe e mbanë në vëmendje atë Uashingtoni. Aleanca me ShBA-në duhet kultivuar për të ardhmen strategjike, e jo veç për kujtesë falënderimi”, tha Thaçi për Nacionalen.
Tutje, ai tha se suksesi i Kosovës është mirënjohja më e madhe që Perëndimi mund ta pranojë dhe vlerësojë nga Kosova.
Nacionale: Në fjalimin e fundit para popullit të Kosovës, ditën kur u arrestuat, një pjesë më ka lënë shumë përshtypje: ajo kur thoni të qëndrojmë së bashku dhe që të mos lejojmë të thellohemi në krizë kushtetuese dhe institucionale. Çka keni pasur ndërmend kur i keni thënë ato fjalë?
Hashim Thaçi: Unë vazhdoj të besoj se vetëm duke qëndruar të bashkuar si popull, mund t’i tejkalojmë sfidat. Të bashkuar ia dolëm në procesin e lirisë dhe pavarësisë, e ashtu duhet të vazhdojmë edhe në fazën e integrimit euro-atlantik.
Ky unitet qytetar dhe institucional duhet të mishërohet në vlerat perëndimore, në kuptimin e ecjes përpara, e jo bashkim në kauza të gabuara. Jo të kalohet koha së bashku duke reflektuar për ballafaqimet e së kaluarës, por të hidhet shikimi kah e ardhmja.
E kaluara jonë nuk është sfiduese, ajo është e fituar, është shumë krenare dhe me integritet, atë nuk mund dhe nuk duhet të tentojmë ta ndryshojmë. Sfidat dhe zgjidhjet i kemi përpara.
Njerëzit duan zhvillim, vende pune, mirëqenie, edukim cilësor, shërbim shëndetësor, ambient më të pastër, etj. Duhet kujdes që, duke u marrë shumë me të kaluarën të mos vonohet, rrezikohet apo edhe të humbet e ardhmja.
Uniteti brendashqiptar dhe investimi për pajtim ndëretnik janë çelësi i suksesit për Kosovën. Bota po lëviz dhe po ndryshon më shpejtë se sa intuitat apo agjendat tona lokale.
Çdo krizë e vonon shumë Kosovën, por edhe i minon përpjekjet e miqve ndërkombëtarë për ta konsoliduar shtetin e Kosovës në rrafshin e brendshëm, por edhe në afirmimin e saj ndërkombëtar.
Përkrahja ndërkombëtare nuk duhet të merren si e mirëqenë. Atë gjithmonë duhet merituar. Kosova çdo ditë duhet të vazhdojë të prodhojë argumente që e lehtësojnë mbështetjen e miqëve ndërkombëtar.