Thaçi: Madhërimi i Kurtit për Ivanoviq i pavend

Sociologu Jusuf Thaci shkruan se, edhe sikur politikani i vrarë serb, Oliver Ivanoviq të mos ishte dënuar për krime lufte, prapëseprapë madhërimi i tij nga Kryeministri Albin Kurti do të ishte i pavend.

“Edhe sikur Oliver Ivanoviqi të mos ishte fare i dyshuar e i dënuar (në shkallë të parë) për vrasje e krime kundër shqiptarëve, kryeministri i Kosovës nuk do të duhej të kishte asnjë arsye për ta kujtuar e për ta madhëruar një person si ai, sepse ai nuk i ka sjellë asnjë të mirë Kosovës as qytetarëve të saj”, ka shkruar Thaçi në Facebook.

Por, dënimi i Ivanoviqit, që Thaçi është i sigurt se do t’i rikonfirmohej, e bëjnë kujtimin për të nga Kryeministrit “një krim”.

“Mirëpo Oliver Ivanoviqi ishte i dyshuar e i dënuar (në shkallë të parë) për vrasje e krime kundër shqiptarëve në Kosovë (me siguri do të dënohej edhe me rastin e rigjykimit dhe në të gjitha shkallët e gjykatave, sepse kundër tij ekzistojnë dëshmi e dëshmitarë të shumtë), prandaj kujtimi e madhërimi i tij nga kryeministri i Kosovës përbën krim moral, kombëtar e historik”, thuhet në postimin e Thaçit.

Kryeministri Albin Kurti doli dje me një videomesazh për politikanin serb, të vrarë pesë vjet më parë në Mitrovicën e Veriut.

Duke kërkuar drejtësi për Ivanoviqit, vrasja e të cilit nuk është zbardhur akoma, Kurti tha se do që kujtimi për të të mbetet i gjallë.

“Oliver Ivanoviq ishte një person i përkushtuar për të luftuar për interesat e komunitetit dhe qytetit të tij. Ai e bëri këtë duke qenë i hapur, i sinqertë, gjithmonë i mprehtë në çështjet me rëndësi, por edhe i respektueshëm edhe ndaj atyre me të cilët nuk ishte dakord. Do të dëshiroja që kujtimi i tij të mbetet i gjallë, kujtimi i tij si një njeri që punoi për një të ardhme të qëndrueshme dhe për një Kosovë shumë etnike”, tha Kurti.

Ivanoviq ishtë dënuar në shkallën e parë për krime të luftës ndaj popullësisë shqiptare në prill të vitit 1999 në Mitrovicë. 

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *