Ish-presidenti i Kosovës, Hashim Thaçi pret që në fund të procesit gjyqësor të shfajësohet nga të gjitha akuzat të cilat rëndojnë mbi të.
Ai i ka thënë trupit gjykues se ndjen keqardhje për të gjitha viktimat e luftës por ka shtuar se viktimat nuk marrin drejtësi kur ndiqen të pafajshmit.
Gjatë deklaratës së tij, te bërë pa betim në gjykatore, Thaçi ka thënë se është i pafajshëm për të gjitha akuzat.
Thaçi ka përmendur raportin e senatorit zviceran Dick Marty ku përmendej “trafikimi i organeve dhe shtëpia e verdhë”.
Ai ka thënë se ndërkombëtarët i kishin thënë se duhej themeluar gjykata në mënyrë që të largohet reja e zezë mbi Kosovën.
“Bota tani e di qe nuk kishte trafikim organesh dhe ‘shtëpi të verdhë’. Tani e dimë unë, dhe populli jemi shfajësuar nga kjo. Reja e zezë mbi Kosovën është hequr. Sakrifica ia ka vlejtur. Pres te shfajësohem nga çdo akuzë në fund të këtij procesi” ka thënë Thaçi.
“Kam besim se ky proces do të jete i drejtë dhe transparente”, ka shtuar ai.
Me fjalimin e Thaçit ka përfunduar edhe paraqitja e deklaratës hyrëse nga ekipi i tij mbrojtës.
Në pjesën tjetër të seancës, për 45 minuta do të flasin nga ekipi mbrojtës i Kadri Veselit.
Ndërsa më vonë pritet që të flas pa betim edhe ish-deputeti Rexhep Selimi.