Venera Çerkini është emëruar në pozitën e Drejtoreshës Ekzekutive në Agjencinë për Zhvillimin e Bujqësisë e cila funksionon në kuadër të Ministrisë së Bujqësisë, Pylltarisë dhe Zhvillimit Rural që udhëhiqet nga Faton Peci, raporton Gazeta Sinjali.
Dritën e gjelbër këtij emërimi ia ka dhënë Qeveria e Kosovës në mbledhjen e sotme, ku sipas ministrit të Punëve të Brendshme, Xhelal Sveçla për këtë pozitë ishin gjithsej 15 kandidatë, derisa tre prej tyre u vlerësuan mbi pragun prej 70 përqind.
Në fund për këtë pozitë është propozuar Çerkini, për çka votuan për të gjithë anëtarët e Qeverisë.
Më lejoni të ju informoj për procesin e emërimit të drejtorit ekzekutiv në Agjencinë për Zhvillimin e Bujqësisë. Për pozitën drejtor ekzekutiv në Agjencinë për Zhvillimin e Bujqësisë, kanë aplikuar 15 kandidatë, nëntë prej të cilëve kanë hyrë në listë të ngushtë. Pas vlerësimit profesional nga komisioni shtetëror i pranimit, kandidatët fitues që janë vlerësuar mbi pragun prej 70 përqind të pikëve janë: Venera Qerkini, Menderz Ibra dhe Lebibe Haliti. Në pajtim me dispozitat ligjore për zyrtarët publikë dhe pas përzgjedhjes nga Ministri i Bujqësisë, në cilësinë e mbikëqyrësit të drejtëpërdrejtë, propozoj emërimin e zonjës Venera Qerkini për këtë pozitë, për një mandat 4 vjeçar”, tha Sveçla në mbledhjen e Qeverisë.
Venera Çerkini, është familjare e presidentes së vendit, Vjosa Osmanit, saktësisht vajza e tezës.
Çerkini kishte qenë e ndërlidhur me këtë pozitë edhe më herët. Kjo pasi ishte emëruar zëvendësuese e Kryeshefit Ekzekutiv në Agjencinë për Zhvillimin e Bujqësisë. Pasi Kryeshef nuk kishte, Çerkini kishte udhëhequr me këtë pozicion.