“Tentoi ta bënte tatuazh Luiz Ejllin”, artisti që pikturon trupin tregon pse ndërroi mendje

Albi Hasgjeta është një nga tatuazhistët më të njohur të momentit në kryeqytet. I ftuar në “ABC e Mëngjesit”, ai ka treguar se studimet i ka kryer për inxhinieri, por pasioni për pikturën ishte më i madh dhe doli kundër dëshirës së prindërve. Albi është ndalur te fillimet dhe ndihma që ka kërkuar në shumë studio.

“Fillimi është gjithmonë i vështirë. Kurset ishin të rralla dhe ata pak që bënin ishin të zëna. Një person më ndihmoi, unë vija nga Vlora të shtunën dhe të dielën. Edhe vetëm shikoja se nuk e kisha mundësinë të më jepte makinetën dhe ta mësoja. Më pas bleva makinetën dhe mësova me shokët. Unë e kam nisur gjithmonë me tatuazh më të vegjël, nuk kam rrezikuar shumë.

Në fillim prindërit nuk kanë qenë dakord, jo se kanë faj se çdo prind shqiptar mendon gjithmonë për fëmijën një profesion që sjellë të ardhura, inxhinier, doktor, infermier. Ishte çik e vështirë se unë shkollën e kam shkëputur dy herë. Ishte çik e vështirë të kaloja nga inxhinieria në tatuazhet, sepse ata edhe me pikturën thoshin se çfarë do të fitosh”, tregoi ai.

Më tej, i pyetur rreth tatuazheve më të pazakonta që ka bërë, Albi u shpreh se një person kishte tentuar të realizonte portretin e këngëtarit Luiz Ejlli.

“Në fakt, ai tentoi, ishte 100% i bindur se do ta bënte, por në momentet e fundit përpara se ta bënte, ne e postuam dhe duke parë komentet e shumta dhe shumica e kritikuan se mund të bësh një familjar, t’i nuk e ke gjë”, tha ai.

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *