Të enjten në kufirin Shqipëri-Kosovë, ka ndodhur një incident me armë zjarri, ku të përfshirë kanë qenë shtatë persona.Gjashtë prej tyre janë arrestuar, ndërsa njëri ndodhet në arrati.
Sipas Policisë së Shqipërisë, pesë prej të arrestuarve janë sirianë dhe i gjashti është algjerian.
Ndërsa edhe personi i cili ndodhet në arrati është algjerian.Qëllimi i këtij grupi ka qenë që përmes Greqisë, Shqipërisë, Kosovës dhe Serbisë të hyjnë në shtetet e Bashkimit Evropian.“
Të armatosur organizonin dhe drejtonin veprimtarinë kriminale të kalimit të paligjshëm të emigrantëve nga vendet e treta, përmes kufijve të gjelbër, mes Greqisë, Shqipërisë, Kosovës dhe Serbisë, vihen në pranga 6 shtetas sirianë dhe algjerianë, si dhe shpallet në kërkim një shtetas tjetër algjerian”.Sipas Policisë, në tentativë për të shpëtuar, disa prej këtyre shtetasve kanë hapur zjarr ndaj punonjësve të Policisë, duke rrezikuar seriozisht jetën e zyrtarëve policorë.“Pas disa orësh ndjekje nga shërbimet e Policisë vendore dhe kufitare të Kukësit, duke koordinuar veprimet me Policinë Kufitare të Kosovës, u bë e mundur kapja dhe arrestimi i 6 prej tyre, si dhe shpallja në kërkim e një shtetasi tjetër”.“Vijon kontrolli i zonës për gjetjen e armëve të zjarrit të përdorura në këtë rast, si dhe për kapjen e shtetasit të shpallur në kërkim”.“Shërbimet e DVP Kukës, në bashkëpunim me Policinë Kufitare të PKK Morinë, në vijim të punës për goditjen e veprimtarisë kriminale të dhënies ndihmë emigrantëve, për kalim të paligjshëm të kufirit, bazuar dhe në informacionet e siguruara për një grup të mirëstrukturuar kriminal që organizonte dhe drejtonte këtë veprimtari kriminale, kundrejt fitimeve, kanë organizuar dhe zhvilluar operacionin policor të koduar ‘Strukturimi’”.Tutje, policia shton se në fshatin Morinë, në kufirin e gjelbër me Kosovën, shërbimet e Policisë kanë lokalizuar grupin e shtetasve të huajë që ushtronte veprimtarinë kriminale të dhënies ndihmë emigrantëve nga vendet e treta, për kalim të paligjshëm të kufirit.“Shërbimet e Policisë iu kanë bërë thirrje këtyre shtetasve, që të ndalojnë, por disa prej tyre kanë hapur zjarr në drejtim të punonjësve të Policisë duke rrezikuar seriozisht jetën e punonjësve të Policisë”.Më tej, policia thekson se menjëherë është komunikuar me Policinë Kufitare të Kosovës, me qëllim bllokimin e kufirit në anën e Kosovës, dhe pas disa orësh ndjekje, shërbimet e Policisë kanë bërë të mundur kapjen dhe prangosjen e 6 prej tyre.“Në vijim të veprimeve procedurale për këtë rast, specialistët për Hetimin e Trafiqeve të Paligjshme dhe Narkotikëve të DVP Kukës arrestuan në flagrancë, për veprat penale “Vrasja e punonjësve të Policisë së Shtetit”, mbetur në tentativë, kryer në bashkëpunim, ‘Prodhimi dhe mbajtja pa leje e armëve, armëve shpërthyese dhe municionit” dhe “Ndihma për kalim të paligjshëm të kufijve”.Personat e arrestuar janë A. B., 27 vjeç, me shtetësi algjeriane, si dhe M. N., 25 vjeç, N. A., 20 vjeç, M. Sh., 21 vjeç, M. R., 20 vjeç dhe R. L., 40 vjeç, të pestë me shtetësi siriane.Gjithashtu, në kuadër të këtij operacioni, është shpallur në kërkim shtetasi S. G., 27 vjeç, me shtetësi algjeriane.Operacioni “Strukturimi” vijon për gjetjen e armëve të zjarrit të përdorura në këtë rast, si dhe për kapjen e shtetasit algjerian të shpallur në kërkim.