Dy personat që mbetën të plagosur me thikë sot në rastin e vrasjes që ndodhi në lagjen “Arbëria” në Prishtinë po konsiderohen si të dyshuar për kryerjen e veprës penale vrasje e rëndë.Personi që nmbeti i vrarë në këtë rast është një person i moshës afër 56-vjeçare.
Në një përgjigje për KALLXO.com, zëdhënësja e Prokurorisë Themelore në Prishtinë, Laureta Ulaj ka thënë se prokurori i shtetit ka lëshuar aktvendim mbi ndalimin e të dyve, përderisa ajo ka treguar se të njëjtit dyshohen për veprën penale të vrasjes së rëndë.Të plagosurit aktualisht gjendën nën masat e sigurisë nga Policia, pasi që ende janë në trajtim mjekësor.
Sot rreth orës 13:20 Policia është informuar se në Arbëri të kryeqytetit, saktësisht në një hotel pati të shtëna me armë zjarri.
Policia ka thënë se menjëherë në vendin e ngjarjes kanë dalë njësitet e nevojshme policore dhe ekipi mjekësor dhe aty bazuar në të dhënat fillestare nga arma e zjarrit lëndime ka pësuar një person, i cili në vendngjarje ka ndërruar jetë e se vdekjen e tij është konstatuar edhe nga ekipi mjekësor.
Deri më tani ende nuk dihen detaje se çka dërgoi deri tek vrasja me armë zjarri dhe plagosja e dy personave të tjerë me thikë në një hotel i cili gjendet në lagjen “Arbëria” në kryeqytet.
Zyrtarë e hetues policorë janë parë ditën në vendin e ngjarjes e në anën tjetër, Naser Syla nga Emergjenca ka thënë se dy të plagosurit me thikë janë jashtë rrezikut për jetë dhe gjendja e tyre është stabile.