Tashmë gjithçka ka përfunduar. Parlamenti Evropian ka dhënë sot vendimin pozitiv, duke miratuar propozimin. Më në fund, jemi të lirë për të lëvizur pa viza.
Anëtarët e Parlamentit Evropian sot kanë dhënë vendimin final për liberalizimin e vizave, duke votuar pro lëvizjes së lirë të qytetarëve të Kosovë nëpër zonën Schengen.
Pas një pritje për më shumë se një dekadë, qytetarët e Kosovës do të mund të lëvizin pa viza që nga 1 janari i vitit 2024.
Pse 1 janar 2024?
Krejt së fundi ishte kushtëzuar me sistemin ETIAS, çështje të cilën e kishte shpjeguar për Nacionalen përfaqësuesja e përhershme e Çekisë, Edita Hrda.
Për shkak të ndërlidhjes me Sistemin Evropian të Informacionet dhe Autorizimit të Udhëtimit, ishte vendosur si datë e fundit për heqjen e vizave 1 janari 2024.
“Ekziston një marrëveshje në nivel Këshilli që qytetarët e Kosovës nuk do të kenë nevojë për vizë pasi të jetë funksionalizuar Sistemi Evropian i Informacionit dhe Autorizimit të Udhëtimit (ETIAS), kjo pritet të jetë në nëntor të vitit 2023. Por meqenëse ne donim që qytetarët e Kosovës të kishin një garanci, ne kemi vendosur 1 janar 2024 si datën më të fundit për liberalizimin e vizave. Kjo është më tepër një masë sigurie në rast se ka ndonjë vonesë administrative me ETIAS.” – kishte thënë për Nacionalen përfaqësuesja e përhershme e Çekisë, Edita Hrda.
Qysh erdhëm deri këtu?
Kosova kishte filluar dialogun me BE-në për liberalizimin e vizave në vitin 2012.
Procesi për të ardhë deri te ky vendim, për Kosovën zgjati më së shumti, dyfish më shumë se sa për shtetet e tjera të Ballkanit Perëndimior, plot 12 vjet.
Kosova kishte plotësuar mbi 90 kritere deri në vitin 2016, por pikërisht në këtë vit, u njoh me dy të reja – Demarkacionin dhe luftimin e korrupsionit.
Në vitin 2018, Komisioni Evropian konfirmoi se Kosova i ka përmbushur të gjitha kriteret për liberalizimin e vizave, por megjithatë, u deshën edhe katër vite të tjera për të ardhë deri te një vendim pozitiv nga të institucionet e BE-së.
Më 30 nëntor, ambasadorët e shteteve anëtare të Bashkimit Evropian u pajtuan për liberalizimin e vizave për qytetarët e Kosovës. Pas kësaj, negociatat filluan menjëherë.
Më 12 dhjetor të vitit 2022 u mbajt një takim teknik, ndërkaq dy ditë më vonë, trilogu politik u mblodh në Strasburg. Dy ligjvënësit arritën një marrëveshje duke gjetur një kompromis për disa çështje të pazgjidhura të identifikuara në nivel teknik.
Ndërkaq, më 20 dhjetor 2022, Komiteti i Përfaqësuesve të Përhershëm analizoi tekstin final me synim arritjen e marrëveshjes dhe e konfirmoi atë.
Më 12 janar 2023, Komiteti i Parlamentit Evropian për Liritë Civile, Drejtësinë dhe punët e Brendshme (Komiteti LIBE) konfirmoi marrëveshjen politike dhe më 13 janar 2023 kryetari i LIBE i dërgoi një letër Kryetarit të Komitetit të Përfaqësuesve të Përhershëm duke konfirmuar se, nëse Këshilli miraton Rregulloren në lexim të parë, pas rishikimit ligjor gjuhësor, Parlamenti do të miratojë qëndrimin e Këshillit në leximin e tij të dytë.
Më 9 mars 2023, Këshilli Evropian me shumicë votash, duke përfshirë edhe nga vendet që s’e njohin Kosovën, votoi pro liberalizimit të vizave, duke lënë edhe shumë pak hapa deri kur vendimi të hyjë në fuqi.
Vlen të theksohet, se mes gjithë këtyre vendimeve, në një prej takimeve kryesore të grupit COREPER ku do të vendosej për vizat, çështja ishte larguar nga agjenda për shkak të tensioneve në veri të vendit në fund të vitit që lamë pas.