Manuel Neuer humbi kuletën e tij në një taksi para disa ditësh, megjithatë taksisti i cili e gjeti atë në veturën e tij u përkujdes t’ia kthente atë portierit.
“Kuleta mbante emrin dhe adresën e Manuel Neuer, një kartë Visa, një MasterCard të zezë dhe rreth 800 euro para të gatshme”, tha taksisti, Hazir Stublla për Bild.
Ai vendosi t’ia kthejë të gjitha portierit legjendar gjerman, kështu që fillimisht shkoi në shtëpinë e Neuerit, por ai nuk ishte aty. Më pas ai shkoi në Tegernsee ku portieri i Bayernit ka një pronë, por as aty nuk ishte Neuer. Më në fund ai gjeti menaxherin e tij, ia ktheu portofolin dhe la informacionet e kontaktit.
Pas dy javësh, një dhuratë shpërblyese për gjestin mbërriti dhe përmbante fanellën e nënshkruar nga Neuer. Asnjë mesazh apo falënderim.
“Dhurata është hajgare! Unë kam katër fëmijë dhe çfarë duhet të bëj me atë fanellë?” tha taksisti që priste para nga portieri, i cili fiton rreth 15 milionë euro në vit, në vend të një fanelle.
“Neuer, ky është një turp”, shkruan Bild dhe media të tjera gjermane që kritikojnë gjithashtu lëvizjen e Neuer.