Deputeti i Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës, Besnik Tahiri, ka thënë se drejtimi politik që e ka marrë qeveria e Albin Kurtit po e dërgon vendin “në humnerë”.
Përmes një postimi në llogarinë e tij në Facebook, Tahiri ka thënë se edhe Amerika, “shteti me ekonominë më të fortë në botë është ka shikon me ua lehtësuar jetën familjeve amerikane, në raport me shpenzimet bazike, si barnat, sigurimet e shumë tjera, qeveria jonë qe 2 vjet e gjysmë, qytetarëve vetëm sa ua rëndon jetesën”.
Për ta argumentuar këtë ai renditi disa arsye, siç është dështimi i kësaj qeverie për t’i siguruar tekstet mësimore për nxënësit, duke vazhduar me “pagat në sektorin publik, lista esenciale e barnave”.
“Pensionistët; Policët; Mjekët; Infermierët; Veriu i Kosovës – pika më e ndjeshme e Kosovës; Sanksionet; Sulmin ndaj mediave”, shkroi ai.
Madje, pohon ai, kjo qeveri, “jo që po ua lehtëson jetesën qytetarëve, por i mashtroi të gjithë ata që pritën zhvillim ekonomik e luftim të korrupsionit”.
“Më e keqja, ua humbi shpresat për një të ardhme më të mirë gjeneratave të ardhme në Kosovë. Kjo pasiguri e madhe për të ardhmen, lidhet me ekonominë e rënduar të vendit, punësimin dhe kushtet e jetës”.
Sipas deputetit të AAK-së, ky drejtim politik i kësaj qeverisje “po e dërgon vendin në humnerë, para shkatërrimit të përgjithshëm”, duke shtuar se të njëjtit “po krijojnë skandale në të gjitha sferat, për të mbuluar dështimin e mashtrimin”.