Ministri i Punëve të Brendshme (MPB), Xhelal Sveçla, njoftoi sot për një aksion të koordinuar mes Policisë së Kosovës, Prokurorisë dhe Agjencisë së Kosovës për Inteligjencë. Me urdhër të Prokurorisë, Policia ka ndërmarre hapa për mbylljen e strukturave paralele të Serbisë brenda Republikës së Kosovës.
Në një postim në rrjetin social, Sveçla theksoi se aksioni ka rezultuar në mbylljen e komunave ilegale në Gorazhdec për Pejën, Osojan për Istogun dhe Videjë për Klinën.
Ministri shtoi se ky veprim ka një qëllim të qartë, fuqizimin e institucioneve të Republikës së Kosovës dhe respektimin e plotë të Kushtetutës, duke shpallur fundin e kohës së paligjshmërisë. Në përfundim, ai deklaroi se ambasada e Serbisë në Prishtinë është institucioni i vetëm i lejueshëm brenda kufijve të Republikës së Kosovës.