Një 19-vjeçar me inicialet D.XH. është arrestuar këtë të premten në Gjilan, pasi dyshohet për veprën penale “Vrasje në tentativë”.
I njëjti dyshohet se një ditë më parë, në rrugën “Esat Berisha” në Gjilan pas një zënke të çastit që kishte me viktimën, e ka sulmuar me një mjet të mprehtë (thikë) duke i shkaktuar lëndime trupore.
Lajmin për Telegrafin e ka konfirmuar zëdhënësi i Policisë së Kosovës për rajonin e Gjilanit, Valon Osmani.
“Njësiti i hetimeve rajonale të Policisë në Gjilan si rezultat i një pune mirë të organizuar operacionale dhe veprimeve të shpejta hetimore, sot me datën 08.09.2023 ka arritur që të arrestojë të dyshuarin D.Xh. (viti i lindjes 2004, mashkull kosovar shqiptar)”, ka thënë Osmani.
“Arrestimi i tij është bërë pasi që i njëjti dyshohet se me datën 07.09.2023 rreth orës 02:40 në rrugën ‘Esat Berisha’ në Gjilan pas një zënke të çastit që kishte me viktimën mashkull kosovar e ka sulmuar me një mjet të mprehtë (thikë) duke i shkaktuar lëndime trupore. Viktima pas trajtimit mjekësorë në qendrën emergjente në Gjilan është liruar për në shtëpi”.
Ai tutje ka bërë të ditur se i dyshuari pas arrestimit është intervistuar në bazë të procedurave ligjore.
“Në lidhje me rastin është njoftuar prokurori i shtetit i cili ndaj të dyshuarit ka lëshuar masën e ndalimit për 48 orë dhe ndaj të njëjtit do të ngritët kallëzim penal për veprën penale ‘Vrasje në tentativë’”, ka përfunduar Osmani.