Policia e Kosovës ka njoftuar se sot është sulmuar me armë zjarri, derisa ka qenë duke vendosur një barkë patrulluese në Liqenin e Ujmanit.
Sipas Policisë, kanë qenë rreth 10 të shtëna me armë zjarri. Nuk raportohet për të lënduar.
“Njësia policore ka njoftuar se në drejtim të tyre ka pasur të shtëna me armë. Kanë qenë afërsisht 10 të shtëna me armë zjarri. Të shtënat kanë qenë të njëpasnjëshme, nga pjesa tjetër e liqenit dhe kanë goditur afër barkës së policisë. Nga këto të shtëna nuk ka persona të lënduar”, ka njoftuar Policia.
Komunikata e plotë:
Sot, më 06.08.2022 rreth orës 11:25, njësia policore e Stacionit Policor për Mbikëqyrjen e Kufirit (SPMK) Zubin Potok, derisa ka qenë duke vendosur një barkë patrulluese në Liqenin e Ujmanit është sulmuar me armë zjarri.
Njësia policore ka njoftuar se në drejtim të tyre ka pasur të shtëna me armë. Kanë qenë afërsisht 10 të shtëna me armë zjarri. Të shtënat kanë qenë të njëpasnjëshme, nga pjesa tjetër e liqenit dhe kanë goditur afër barkës së policisë. Nga këto të shtëna nuk ka persona të lënduar.
Në asistencë të njësisë policore ka shkuar Njësia e Ndërhyrjes së Shpejtë e Policisë Kufitare. Policia po vazhdon të vëzhgojë terrenin dhe ta trajtojë rastin.
Policia e Kosovës mbetet e përkushtuar në ofrimin e sigurisë dhe luftimin e kriminalitetit e me theks të veçantë të kontrabandës në atë zonë.