Sulmohet fizikisht vëllai i Geta Beqës te lokali i tij në Gjakovë, dërgohet me lëndime të rënda në QKUK

Mosmarrëveshjet për motive të ndryshme, e që shpeshherë dalin të jenë banale bëhen mollë sherri e kërcënimeve e përleshjeve në vendin tonë. Për pasojë, konfliktet jo rrallëherë eskalojnë edhe në rrahje brutale, për çka nevojitet ndërhyja e Policisë. Një rast i tillë ka ndodhur mbrëmë në rrugën “Ali Pashë Tepelena” në Gjakovë, raporton Gazeta Sinjali.

Këtë herë viktimë e rastit është Ilir Beqa, njëri nga vëllezërit e sportistes, trajneres së fitnesit,Geta Beqa, i cili është kanosur seriozisht dhe është sulmuar fizikisht në afërsi të lokalit të tij në Gjakovë.

Sinjali mëson se rasti ka ndodhur pas një mosmarrëveshje verbale që katër të dyshuarit kanë pasur me viktimën, ashtu që debati verbal ka kaluar në kërcënime e rrahje.

Për pasojë, Beqa ka pësuar lëndime të rënda trupore, për çka është dërguar në Qendrën Klinike Universitare për trajtim mjekësor.

Në anën tjetër, Policia ka arritur të arrestojë një person të dyshuar lidhur me rastin, ndërkaq tre të tjerët ndodhen akoma në arrati.

Rasti është konfirmuar edhe nga Policia e Kosovës, me ç’rast është bërë e ditur se hetimet kanë nisur për veprat “Kanosje” dhe “Lëndim i rëndë trupor”.

“Është arrestuar i dyshuari mashkull kosovar, pasi që i njëjti së bashku me tre të dyshuar të tjerë pas një mosmarrëveshje verbale kanë kanosur viktimën mashkull kosovar ndërsa njëri nga të dyshuarit e ka sulmuar fizikisht viktimën, me ç’ rast i ka shkaktuar lëndime trupore. Viktima është dërguar në QKUK për tretman mjekësor. Me vendim të prokurorit i dyshuari lirohet në procedurë të rregullt , ndërsa tre të dyshuarit të tjerë gjenden ne arrati.”

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *