Stano: Dialogu mes Kosovës dhe Serbisë vazhdon javën e ardhshme në Bruksel

Zëdhënësi i Bashkimit Evropian, Peter Stano, ka njoftuar se javën e ardhshme do të zhvillohet takim në Bruksel mes kryenegociatorëve të Kosovës dhe Serbisë, raporton Gazeta Sinjali.

Stano ka thënë se kryenegociatori i Kosovës, Besnik Bislimi dhe ai i Serbisë, Petar Petkoviq, janë ftuar në takim, për të avancuar përpara me hapat e parë për implementimin e marrëveshjes së arrirë.

”Ajo që mund të them në këtë moment është se një takim i kryenegociatorëve do të zhvillohet javën që vjen në Bruksel. Kryenegociatorët nga të dyja palët janë ftuar nga lehtësuesi i dialogut që të vijnë në Bruksel dhe të avancojnë përpara me hapat e parë për implementimin e gjithë asaj që kanë rënë dakord”, ka thënë ai.

Stano është shprehur i kënaqur që, siç ka thënë ai, dialogu po bëhet më i popullarizuar në rajon dhe se po organizohen gjithnjë e më shumë takime.

Ai ka deklaruar kështu duke iu referuar një propozimi të kryeministrit me mandat teknik të Malit të Zi, Dritan Abazoviq, që takimi i radhës mes Kosovës dhe Serbisë të zhvillohet në shtetin që drejton ai.

“Na vjen mirë që dialogu po bëhet kaq i popullarizuar në rajon dhe gjithnjë e më shumë vende po ofrohen që të jenë mikpritës të tij. Por le të shkojmë hap pas hapi. Dialogu është i bazuar në Bruksel dhe kemi arritur një hap shumë të rëndësishëm në Ohër, pas arritjes së pajtueshmërisë mes presidentit të Serbisë dhe kryeministrit të Kosovës, ku ata u pajtuan edhe për Marrëveshjen, edhe për aneksin e implementimit. Tash fokusi është në implementim”, ka thënë ai.

Kujtojmë që takimi i fundit në kuadër të dialogut, u mbajt në mes të kryeministrit të Kosovës, Albin Kurti dhe presidentit serb, Aleksandar Vuçiq, më 18 mars në Ohër të Maqedonisë së Veriut.

Sipas Përfaqësuesit të Jashtëm të BE-së për Politikë të Jashtme dhe Siguri, Josep Borrell, palët janë dakorduar mbi Aneksin e implementimit të Planit evropian për dialogun, por pa nënshkrim të palëve.

Borrell ka kumtuar se Marrëveshja dhe Aneksi për zbatimin e saj konsiderohen të aprovuara, bazuar në deklaratën e tij. /GazetaSinjali/

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *