Ndonëse ndeshjet për kualifikim në kampionatin evropian “Euro 2024” kanë filluar, ku tashmë kombëtarja kosovarë ka zhvilluar dy takime me rezultate të barabarta, Kosova ende nuk ka një stadium nacional për t’i zhvilluar ato, përveç atij “Fadil Vokrri” në Prishtinë.
Pavarësisht se gjatë vitit 2019 është marrë vendimi nga Qeveria Haradinaj, me propozim të ish ministrit të Kulturës, Rinisë dhe Sportit, Kujtim Gashi, që stadiumi kombëtar i Kosovës të ndërtohet në Korreticë të Drenasit dhe jo në Bërrnicë të Prishtinës, ky vendim i Qeverisë Haradinaj mund të mos jetësohet, pasi me ndërrimin e pushtetit, pas zgjedhjeve nacionale, mund të ndryshojë edhe lokacioni i stadiumit, krejt kjo si rrjedhojë e mospajtimeve politike.
Si pasojë, ky projekt në vlerë prej 50 milionë euro ka ngelur vetëm me gurthemelin e vendosur në po atë vit.
Ish ministri i Kulturës nga radhët e PDK-së, Kujtim Gashi, ka akuzuar pushtetin aktual për mosrealizimin e këtij projekti të nisur nga ai, që sipas tij, është një nga më projektet më kapitale që ka mundur të realizohet në Kosovë.
Ai pohon se ky mosrealizim do të sjell pasoja për futbollin kosovar.
“Stadiumi Kombëtar ka qenë projekti me kapital që ka mundur të realizohet në Kosovë, marrë parasysh zhvillimet që kanë ndodhur në futbollin kosovar dhe sukseset e tij, por fatkeqësisht ky projekt i ideuar dhe i përgatitur është lënë pezull nga pushteti aktual, i cili nuk po e fillon tash e sa kohë, e me gjasë nuk e kanë as në prioritete e tyre. Mosrealizimi i projektit do të ketë pasoja për sportin në përgjithësi, e për futbollin në veçanti”, është deklaruar Gashi.
Ndërkohë që, analisti Driton Latifi, gjithë këtë situatë e sheh më tepër si një duel politik, pasi mendon se për cilindo lokacion që do përzgjidhej nuk do të kishte ankesa nga komuniteti sportiv, apo futbollistët.
“E gjithë kjo situatë e krijuar është shndërruar më shumë në një duel politik sesa që ka të bëjë me në interesin e përgjithshëm qoftë shtetërorë apo futbollit në veçanti . Unë besoj se sikur njëri lokacion apo tjetri, cilido që do përzgjidhej besoj se nuk do ketë asnjë ankesë nga ana futbollistëve apo njerëzit e komunitetit të futbollit , ndryshe prej kësaj situate të krijuar poashtu besoj se si njëra palë apo tjetra të përfshirë nga aspekti politik nuk kanë qenë të vetdijëshëm për koston e përgjithshme dhe fondit që kërkon ndërtimi i një stadiumi, sepse nuk është një projekt që kushton 10, apo 15 milionë euro, flasim për vlera që kapin shifra prej 50 milionë euro, e aq më tepër që tashmë me rritjen e çmimeve për shkak të lëvizjeve të produkteve ndërtimore në berzha, çmimi mund të jetë më i lartë”, u shpreh Latifi në një deklaratë për Syrin.
Ai po ashtu, përmendi edhe zgjidhjen e mundshme e cila po përflitet, e që sipas tij është mundësia e zgjerimit të kapacitetit të stadiumit aktual “Fadil Vokrri”
“Mendoj që zgjedhja fundit që po përflitet me rritjen e kapacitet stadiumit aktual mund të jetë një zgjedhje provizore e përkohshme por gjithsesi investimet në futboll, zhvillimet e futbollit, dalja në skenë e shumë talenteve të reja, sukseset e kombëtares, transferimet e futbollit ne nivel evropian e bëjnë kërkesë imediate të mendohet që një stadium kombëtar i cili do kishte kapacitet dhe kushte më të mëdha se ky aktual duhet patjetër të jetë në shërbim të futbollit, jo vetëm por ndeshjet e kombëtares por edhe klubeve qoftë me nivelin lokal apo pjesëmarrjen në nivelet e kupave evropiane.”, tha ai.
Mendim të njëjtë sa i përket renovimit të stadiumit “Fadil Vokrri”, ka edhe ka trajneri Bylbyl Sokoli, i cili thotë se është më mirë që i njëjti të rinovohet dhe përshtatet për ndeshje ndërkombëtare deri në 15 .000 shikues, teksa nga ana tjetër të ndërtohen edhe disa stadiume në qendra më të mëdha të Kosovës në vlerë prej 7-8 milonë dhe me kapacitete deri në 6.000 shikues.
“Para se të ndërtohet stadiumi kombëtar duhet të bëhen analizat e duhura për ndërtim… Nr. I banorëve , Mirëmbajtja e objektit, Nr. I sportistëve… Më pas të caktohet lokacioni i ndërtimit ( edhe këtu duhet me marrë parasysh shumë faktor). A e kemi luksin qe të ndërtojmë një stadium me vlera 50-60 milon Euro,kur Kosova nuk ka shtëpi të futbollit sikurse shumica e shteteve në regjion. Më mirë të ndërtohen disa stadiume në qendra më të mëdha të Kosovës në vlerë prej 7-8 milionë dhe me kapacitete deri në 6.000 shikues. Kurse stadiumi Fadil Vokri të rinovohet dhe përshtatet për ndeshje ndërkombëtare deri në 15 .000 shikues”, shprehet trajneri.
Sokoli, tutje thotë se stadiumet e përmendura janë propozuar pa as edhe një analizë të duhur dhe pa patur parasysh koston e mirëmbajtjes, që sipas tij, mund të jetë e papërballueshme për një shtet si Kosova.
E për këtë, fajin ia lë ngecjeve në institucionet shtetërore, derisa merr shembullin e gjendjes së stadiumit “Adem Jashari”, për të cilin thotë se sot askush nuk përgjigjet për situatën në të cilën është një stadium me emër të heroit tonë kombëtar .
“Stadiumet që janë përmend janë propozuar pa bërë analiza të duhura dhe pa pas parasysh as koston e mirëmbajtjes e cila mund të jetë e papërballueshme për një shtet të vogël çfarë është Kosova. Vlera e stadiumit të propozuar, pa kurrfarë analizash , pa diagnostifikim dhe vetëm pse i ka ra ndërmend dikujt dëshmon se kemi shumë ngecje në institucione shtetërore ….Shikoni si duket stadiumi, Adem Jashari ku dikur ka luajtur Jugosllavia 25 milionëshe. Në stadiumin Adem Jashari, është investua dy e me shumë here në rinovim dhe atë në vlera disa milionshe. Dhe sot askush nuk përgjigjet për gjendjen në të cilën është një stadium me emër te heroit tonë Kombëtar”, nënvizoi ai.
Për gjithë këtë ‘lëmsh’, ende pa një vendim definitiv për lokacionin apo zgjidhjen e çështjes së stadiumit kombëtar të Kosovës, Gazeta Neutral në vazhdimësi ka tentuar të komunikojë me zyrtarë të MKRS-së, por të njëjtit nuk u janë përgjigjur pyetjeve apo telefonatave të redaksisë, për të parë se në cilin stad është ky projekt.
Të paqasshëm ishin edhe nga Federata e Futbollit të Kosovës në adresimin e redaksisë së Syrit, gjersa në të kaluarën të njëjtit në deklaratat e tyre ishin tërësisht neutralë.
“Është projekt i Qeverisë së Kosovës dhe ne nuk kemi asnjë ndikim aty. Dëshira jonë është që të ndërtohet sa më shpejt që është e mundur. Nëse është e nevojshme, jemi të gatshëm të kontribuojmë me një ekip profesional”, kishte deklaruar atëkohë, Agim Ademi, kryetar i FFK-së.
Nëse e bëjmë një kërkim të thjeshtë në Google, për stadiumin kombëtar të Kosovës, në Wikipedia na hapet faqja ku janë të paraqitura të dhëna për këtë stadium, duke nisur nga lokacioni, e deri tek vlera monetare e tij, mirëpo, në realitet, ky stadium ka mbetur vetëm projekt në letër, të paktën, deri më tani.
E deri në një vendim, kombëtares kosovare, i urojmë kualifikimin, e pse jo, edhe fitoren në “Euro 2024”.