Shtyhet afati i finalizimit të punimeve të shkallëve te Posta e Madhe  

Punimet për ndërtimin e shkallëve në lagjen “Dardania” në Prishtinë tek vendi i njohur si Posta e Madhe, janë shtyrë sërish ndonëse kanë pasur të përfundonin në mars të këtij viti. Qytetarët po përballen me rreziqe teksa po kalojnë në atë zonë, ndërsa nga Komuna e Prishtinës kanë dhënë një afat të ri për përfundimin e projektit – fillimin e gushtit.

Qytetari Burim Syla, tregon se disa herë ka rastisur të shoh njerëz duke u rrëzuar në këtë pjesë.“Është shumë e dëmshme, i kam has disa raste që janë rrëzu qytetarët shumë shpesh ka ndodh. Ata edhe kanë marr trauma prej këtyre ngjarjeve të tmerrshme”, ka thënë ai për KALLXO.com. E në anën tjetër, qytetarja, Vlora Shala, ka një propozim për përfundimin e këtij renovimi. “Mirë kish qenë me punu natën e me përfundua këtë punë sa më herët e jo tani, vijnë kurbetqarët vijnë turistët, me qenë kështu tu punu. Kur zgjohesh vonë edhe punët janë vonë, duhet me u zgju më herët punët përfundojnë më herët, kur zgjohesh vonë kështu, po flenë gjumë” – tha Shala për KALLXO.com.

Kurse, qytetari tjetër Avdullah Alia, shprehet se zgjatja e kësaj çështje është bërë shkaku i mungesës së përgjegjësisë dhe kontrollit.“Kjo është një alergji e përditshme te të gjitha organet se nuk ka kontroll me pas përgjegjësi njerëzit, nuk ndodhin këto punë, por gjithmonë punët po shkojnë qysh po shkojnë. Edhe kontrollin dikush duhet me bë, se pa marr përgjegjësi njerëzit nuk ka. Këto janë paret tona, janë paret publike”- shprehet ai për KALLXO.com.Sipas tij, arsyet për mospërfundimin e punëve kanë të bëjnë me “interesat personale, tenderët, çmimet”.Arsyetimi i komunës dhe i kompanisë

Në lidhje me çështjen e shkallëve në lagjen “Dardania”, Komuna e Prishtinës thotë se përurimi i punimeve pritet të bëhet në ditët e para të gushtit, kurse nga kompania që po kryen punimet shprehen se gjithçka do të përfundoj në korrik.Drejtori i Shërbimeve Publike në Komunën e Prishtinës, Ilirik Musliu për KALLXO.com ka treguar arsyet se pse ende nuk ka përfunduar projekti në fjalë.“Kemi pas probleme në furnizim me mobilerinë urbane, më konkretisht vonesa në furnizim. Arsye tjetër kanë qenë reshjet e shumta te shiut. Gjithsesi edhe pse me këto sfida, data e përurimit të projektit është në mes në 01-04 gusht” – ka thënë drejtori Musliu në një përgjigje me shkrim për KALLXO.com të enjten.

Ndërkaq kompania e kontrkatuar për projektin, “Selmans Network” thotë se për ndërtimet janë brenda afateve ligjore.“Ne jemi brenda afateve ligjore. Pritshmëritë tona dhe të autoritetit kontraktues kanë qenë që projekti do të përfundohet në fund të muajit mars 2023, mirëpo, kushtet atmosferike nga periudha janar – prill, kanë qenë jo të përshtatshme për punë ndërtimore dhe të terrenit” – kanë thënë për KALLXO.com nga kjo kompani, të premtën.Sipas tyre, punimet veçse janë në fazën finale dhe gjithçka do të përfundojë brenda muajit korrik të këtij viti.

Në tetor të 2022-ës kur edhe kishin filluar punimet, drejtori i Shërbimeve Publike në Komunën e Prishtinës, Ilirik Musliu besonte se puna do të përfundonte në mars të këtij viti. Tutje, ai kishte potencuar se kushtet klimatike e penguan përmbylljen e punimeve në kohë, por që në mars ato do të mbaronin. Që nga periudha e pasluftës në këto shkallë nuk ishte bërë asnjë investim që do përmirësonte gjendjen e tyre. Në po këtë zonë njëkohësisht po kryhen punimet edhe në ndërtimin e Xhamisë së Madhe në kryeqytet.

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *