Kryetarja e Dhomave të Specializuara të Kosovës (DHSK), gjykatëse Ekaterina Trendafilova, do të shqyrtojë modifikimin e vendimit të Nasim Haradinaj për lirimin e tij me disa kushte pasi të marrë raport prej Administratores Fidelma Donlon në lidhje me sjelljen e Haradinaj gjatë mbajtjes së tij në objektin e paraburgimit të DHSK-së.
Sipas një komunikate të Dhomave të Specilizura “për marrjen e vendimit, Kryetarja u këshillua me gjykatësit e paneleve që dhanë dënimin sikurse parashihet në nenin 51(2) të Ligjit për Dhomat e Specializuara dhe Zyrën e Prokurorit të Specializuar (“Ligji”), mori parasysh faktorët e rregullës 196(3) të Rregullores së Procedurës dhe Provave si dhe mbajti seancë me Haradinaj”, thuhet në komunikatë.
“Kryetarja mori parasysh se megjithëse veprat penale për të cilat Haradinaj u dënua janë padyshim të rënda duke marrë parasysh efektin mjaft negativ të zbulimit të informacionit konfidencial mbi dëshmitarë (të mundshëm), ishin disa faktorë që mund të peshojnë në favor të modifikimit të dënimit të tij. Kryetarja gjithashtu vuri në dukje shprehjet e keqardhjes prej z. Haradinaj gjatë seancës gojore dhe zotimit të tij për moskryerjen e veprimeve të tjera që mund të karakterizohen si vepra penale kundër administrimit të drejtësisë”, thuhet tutje.
Bëhet e ditur se Haradinaj ka një precedentë disiplinor dhe vendimi për lirimin e tij pritet nga përmirësimi i tij.
“Sidoqoftë Kryetarja theksoi se z. Haradinaj ka precedentë disiplinorë në Njësinë e Paraburgimit (NJP). Rrjedhimisht Kryetarja gjykoi se megjithëse z. Haradinaj ka ndërmarrë disa hapa drejt rehabilitimit, ka ende vend për përmirësim. Për këtë arsye Kryetarja urdhëroi Administratoren që të paraqesë raport në lidhje me sjelljen e Haradinajt në NJP në të ardhmen brenda një periudhe të caktuar në kontekst të vendimit mbi modifikimin e dënimit të tij”.
Hysni Gucati i cili ka qenë i dënuar bashkë me Nasim Haradinaj është liruar me kusht.
Gucati e Haradinaj më 18 maj të vitit të kaluar ishin dënuar për pengim të administrimit të drejtësisë, duke i dënuar me nga katër vjet e gjysmë burgim dhe me një gjobë prej 100 eurosh. Në dënim ishte llogaritur edhe koha e kaluar në paraburgim. Ata kanë qenë në paraburgim prej shtatorit të vitit 2020.