Vëllai i bashkëshortit të 15-vjeçares, e cila lindi sot në Spital të Prizrenit, thotë se martesa mes vëllait të tij dhe tashmë kunatës së tij, të mitur, është bërë me pëlqimin e të dyve.
Ai thotë se martesa u bë me mesit, teksa shtoi se 15-vjeçarja ka qenë e martuar më herët në Mal të Zi dhe ka ardhur shtatzënë nga shtëpia e babait të saj.
“Vëllai është martuar qe 3-4 muaj. Ajo ka ardhur shtatzënë prej babait të saj, ajo ka qenë e martuar në Mal të Zi dhe ne e kemi marrë me ‘bark’. Vëllai ka qenë i martuar një herë dhe e ka lëshuar atë”.
“Ne e kemi çuar djalin atje, janë dashuruar bashkë, kanë folur bashkë dhe janë pëlqyer. Mosha s’ka pasur kurrfarë problemi, ajo është martuar me dëshirën e saj”, është shprehur ai në “Edicionin Special” në Klan Kosova.
Për lindjen e kunatës 15-vjeçare, vëllai i burrit të saj shprehet i lumtur, teksa thotë “po presim kur të na vijë nusja me ‘evlad’, të na gëzojë edhe neve familjarëve”.
Ai thotë se për vajzën minorene nuk ka pasur problem mosha e vëllait të tij, derisa shton se e njëjta para martesës ka thënë “unë po dua veç jetesë”.
Kujtojmë se në lidhje me këtë rast, Policia e Kosovës ka hapur rast për veprën penale “Bashkësia jashtëmartesore me personin nën moshën gjashtëmbëdhjetë vjet”.