Sipas Lajçakut, ky është shanci unik për marrëveshjen finale: Ky vit dhe i ardhshmi, vendimtarë për Kosovën e Serbinë

Kosova, Serbia, Shtetet e Bashkuara të Amerikës dhe Evropa, nuk kanë zgjedhje deri në vitin 2024. Deri atëherë, emisari evropian për dialogun mes dy vendeve, Miroslav Lajçak po vlerëson se është “shansi unik” për të arritur një marrëveshje finale.

Sipas Lajçak, do të ishte gabim i madh nëse Kosova e Serbia nuk përfitojnë nga kjo periudhë kohore, derisa sheh se ky vit, dhe ai i ardhshmi, janë vendimtarë për marrëveshjen mes dy vendeve, shkruan gazeta Neutral.

Ky dhe viti i ardhshëm janë vendimtarë dhe unik dhe do të ishte një gabim i madh nëse ata nuk do të përfitonin nga kjo periudhë kohore. Tani kemi një shans unik në kalendarin politik, diçka që nuk e kemi pasur për të paktën dhjetë vjet. Që nga tani deri në vitin 2024 nuk kemi zgjedhje në Serbi, si dhe në Kosovë, dhe nuk ka zgjedhje në Evropë e as në SHBA”, ka thënë Lajçak për agjencinë e lajmeve APA.

Kryeministri Albin Kurti më 18 gusht e takoi në Bruksel presidentin serb, Aleksandar Vuçiq. Pas përfundimit të takimit, kryediplomati evropian, Josep Borrell u shpreh “i zhgënjyer”, por tha se nuk do të dorëzohet për një marrëveshje mes dy vendeve.

Gati një javë më vonë, Kurti vendosi që të jap detaje lidhur me atë që e propozoi në takimin me Vuçiqin.

Kurt i përmendi gjashtë kapituj, që sipas tij, janë këndvështrim i palës kosovare për kornizën e përgjithshme që do të duhej të përfshinte marrëveshja finale.

Gjashtë kapitujt e kornizës së përgjithshme të prezantuar nga Kurti:

Në kapitullin e parë do të duhej të definonte njohjen reciproke dhe anëtarësimin në organizata ndërkombëtare.

Në kapitullin e dytë duhet të trajtojmë ballafaqimin me të kaluarën, ku hyjnë personat e zhdukur me dhunë, viktimat e dhunës seksuale, dëmet materiale, kthimi i dokumentacioneve etj.

Në kapitullin e tretë për neve e ardhmja është bashkëpunimi që duhet të ketë katër liritë e dala nga procesi i Berlinit, pra liria e kapitalit, njerëzve, mallrave dhe shërbimeve.

Në kapitullin e katërt ne ofrojmë trajtimin e të drejtave të pakicave respektive, përfshirë si për serbët në Kosovë, ashtu edhe për shqiptarët në Serbi

Në kapitullin e pestë duhet të rikonsiderojmë marrëveshjet e deritashme por jo me idenë e rinegocimit të tyre siç është plasuar dezinformata nga pala tjetër, por të shqyrtimit të asaj që cilat këto marrëveshje janë pranuar nga pranimi i marrëveshjes finale e cilat duhet të vazhdojnë të implementohen.

Kapitulli i gjashtë duhet të vendosë qartë mekanizmat për zbatimin e marrëveshjes dhe zgjidhjen e mosmarrëveshjeve eventuale.

“Fatkeqësisht ky elaburim i imi nuk u shoqërua me kontribut pozitiv nga pala tjetër e cila në vend të ideve ka nxjerre vetëm konstatimin që nuk janë të interesuar për normalizim të plotë por për hapa të vegjël e gradual”, kishte thënë Kurti në lidhje me kapitujt që i propozoi në takim me Vuçiqin.

Vlen të theksohet, se Kosova dhe Serbia javën e kaluar kanë arritur marrëveshje për dokumente, megjithatë, ende nuk ka diçka konkrete për çështjen e targave.

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *