Si u avulluan shtatë milionë euro nga KEK-u? Hesht Bordi i Korporatës

Qeveria e Kosovës kishte ndarë 10 milionë euro subvencion për Korporatën Energjetike të Kosovës për periudhën  24.01.2022 deri 23.03.2022.

Gjatë kësaj periudhe janë importuar gjithsej 18.025 MWH energji elektrike, dhe për këtë institucioni që merret me prodhimin e energjisë është ngarkuar me 3 milionë euro për diferencën mes çmimit të importit dhe çmimit prej 90 eurosh për megavat.

Por, nga shuma e përgjithshme e subvencionit prej 10 milionë euro, nuk dihet se ku kanë mbetur 7 milionë të tjera, shkruan Insajderi.

Alarmin e ka ngritur Komisioni Hetimor Parlamentar lidhur me menaxhimin e krizave, i cili ka vënë në pah mungesën e 7 milionë eurove.

Kështu zbulon draft-raporti i këtij komisioni, i cili pas rishikimit të dokumentacionit lidhur me menaxhimin e mjeteve financiare të subvencionuara nga Qeveria për emergjencë të furnizimit të energjisë, ka identifikuar gjashtë çështje, në mesin e të cilave edhe çështjen e “zhdukjes” së 7 milionë eurove.  

KEK SHA nuk ka ofruar informata për menaxhimin e fondeve të ndara nga subvencioni i energjisë për vlerën 7 milionë euro”, thuhet në draft-raportin e komisionit, të cilin e ka siguruar Dukagjini, shkruan Gazeta Insajderi.

Gazeta Insajderi mbi këtë çështje i ka shkruar zëdhënësit të KEK, Skender Bucollit, si dhe kryeshefit të Bordit të KEK-ut, Nagip Krasniqit, por asnjëri nga ta nuk ka kthyer përgjigje.

Për të kërkuar më shumë sqarime mbi gjetjet që ka bërë Komisioni Hetimor Parlamentar, Gazeta Insajderi i ka shkruar edhe Driton Selmanajt, pasi i njëjti drejton këtë komision, por as ai nuk ka kthyer përgjigje.


Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *