Shtetet e Bashkuara: Duam njohje të shpejtë reciproke mes Kosovës e Serbisë

Shtetet e Bashkuara të Amerikës duan arritje të shpejtë të “njohjes reciproke” ndërmjet Kosovës dhe Serbisë.

Kështu së paku tha Ned Price, zëdhënësi i deritashëm i Departamentit Amerikan të Shtetit, kur u pyet se kur pret që të arrihet njohja reciproke Kosovë-Serbi.

Ai tha se Shtetet e Bashkuara duan që “propozimi i BE-së – marrëveshja në rrugën e normalizimit ndërmjet Kosovës dhe Serbisë” të rezultojë eventualisht në “njohje reciproke”.

“Ne besojmë se normalizimi i raporteve duhet të ketë në qendër njohjen eventuale reciproke. Ky është proces i drejtuar nga BE-ja. SHBA-ja e ka përkrahur në çdo mënyrë të mundshme. Jemi prezentë në këto bisedime përmes Gabriel Escobarit, i cili ka qenë i angazhuar aktivisht me palët dhe do të vazhdojë të bëjë çfarë të mundemi për ta mbështetur këtë proces”, tha Price.

Në këtë konferencë për media, që mund të jetë e fundit për të si zëdhënës i DASH-it, ai u pyet se a ka SHBA-ja ndonjë afat përfundimtar se kur mund të arrihet njohja reciproke.

“Natyrisht se ne duam që këto tensione të zgjidhen sa më shpejt të jetë e mundur. Ne do të mbështesim këtë dialog të BE-së, do të ndërmarrim çdo hap që mundemi si partner i Kosovës, i Serbisë dhe i BE-së, për të mbështetur përshpejtimin në çdo mënyrë të mundshme të përmirësimit të raporteve mes Kosovës dhe Serbisë, por nuk mund një kornizë kohore për këtë”.

“Natyrisht se duam t’i shohim këto çështje të zgjidhen sa më shpejt të jetë e mundur”, potencoi Ned Price.

Ai tha se SHBA-ja ka mirëpritur takimin e fundit mes kryeministrit Albin Kurti dhe presidentit të Serbisë, Aleksandar Vuçiq, në fund të shkurtit, teksa shtoi se Administrata Biden mbështet “fuqishëm normalizimin e raporteve mes Kosovës dhe Serbisë”. Ky takim, tha ai, ishte hap i mirë përpara, “por punë e vështirë mbetet”.

Price tha se marrëveshja për aneksin e zbatimit është thelbësore për normalizimin sipas këtij propozimi të BE-së.

“Progresi drejt themelimit të Asociacionit të Komunave me Shumicë Serbe mbetet kritik për ndërtimin e së ardhmes së Kosovës si një vend sovran, multietnik dhe i pavarur i integruar në strukturat euroatlantike”, tha Price.

“Përmes dialogut, Serbia dhe Kosova besojmë se duhet të arrijnë një marrëveshje gjithëpërfshirëse për normalizimin e marrëdhënieve. Progresi më pas do të hapë derën për integrimin evropian të të dy vendeve”, tha zëdhënësi i DASH-it, Ned Price.

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *