Shtatë pikat që ranë dakord palët në takimet “sekrete” mes Kosovës dhe Serbisë (Dokument)

Më 11 dhe 12 nëntor përfaqësuesit e partive politike nga Kosova dhe Serbia janë takuar mes vete në Solothurn të Zvicrës.

Këto takime ndodhën një javë pasi pjesëtarë të komunitetit serb u larguan nga institucionet e Kosovës.

Derisa ka pasur konfirmime për takimet e mbajtura, tani ka nisur qarkullimi edhe i një dokumenti “non-paper” dhe pikat për të cilat besohet se ka pasur pajtueshmëri.

Sipas dokumentit të publikuar nga Këshilli për Qeverisje Gjithpërfshirëse palët ranë dakord për shtatë pika:

1. Lufta në Ukrainë ka krijuar një momentum strategjik për një proces të përshpejtuar  për integrimin e Ballkanit Perëndimor në strukturat euroatlantike.

2. Është në interesin e përbashkët kombëtar të Kosovës dhe Serbisë që të zhvillohen marrëdhënie të mira, të qëndrueshme  të parashikueshme.

3. Pas ngjarjeve të fundit, pjesëmarrësit nga Serbia dhe Kosova janë shumë të shqetësuar për situatën e sigurisë, veçanërisht në katër komunat me shumicë serbe në veriun e Kosovës. Derisa bashkësia ndërkombëtare ka rolin e vet, Kosova dhe Serbia e mbajnë përgjegjësinë kryesore për të ruajtur paqen dhe stabilitetin. Duhen të merren veprime specifike pa vonesë për të adresuar dhe korrigjuar situatën aktuale.

4. Pjesëmarrësit bëjnë thirrje që përpjekjet të shumëfishohen për të adresuar çështjet afatgjata. Ata do të mirëpresin një iniciativë të fortë dhe të bashkërenduar të palës së tretë për të mbështetur Serbinë dhe Kosovën në përpjekjet e tyre për të gjetur një zgjidhje të qëndrueshme në një Marrëveshje Gjithëpërfshirëse. Kjo është e vetmja rrugë përpara. Arritja e një marrëveshjeje të tillë po bëhet urgjente.

5. Që kjo të ndodhë, pjesëmarrësit bëjnë thirrje për akterët kryesorë ndërkombëtarë (BE, Gjermani, Franca, SHBA) për të krijuar një kornizë të re të fuqishme të favorshme për të udhëhequr Kosovën dhe Serbinë përmes një procesi negocimi që përfundimisht do të rezultojë në një marrëveshje të tillë.

6. Aktorët kryesorë ndërkombëtarë si palë me interesat e tyre legjitime në process janë të ftuar, së bashku me Serbinë dhe Kosovën, të angazhohen për një qëllim të përbashkët përfundimtar dhe krijimi i një udhërrëfyesi për negociatat duke përfshirë edhe afatet kohore.

7. Pjesëmarrësit mirëpresin gjithashtu palë të treta të tjera me përvojë dhe të përkushtuar për të mbështetur këtë proces sipas nevojës.

Për takimet e mbajtura në Zvicër pati raportuar edhe gazeta “NZZ” që i quajti “sekrete”.

Kjo u konfirmua për Klankosova.tv edhe nga Departamenti i Jashtëm i Zvicrës se përfaqësues të partive politike nga dyja vendet kanë pasur takime, një javë pasi pjesëtarë nga komuniteti serb dhanë dorëheqje nga institucionet e Kosovës.

Në përgjigje thuhet se takimet nuk ishin zhvilluar në nivel qeveritar.

Diplomacia zvicerane mohon që ndonjëherë të ketë ndërmjetësuar takime në mes të dy kryenegociatorëve të Kosovës dhe Serbisë, Besnik Bislimi dhe Petar Petkoviq.

Delegacioni kosovar përfaqësohej nga:

Ardian Gjini, Aleanca për Ardhmërinë e Kosovës;

Lutfi Haziri, Lidhja Demokratike e Kosovës;

Mimoza Kusari Lila, Lëvizja Vetëvendosje; dhe

Bernard NIkaj, Partia Demokratike e Kosovës.

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *