Demo Berisha, kryetar i “Matice Albanaca” në Serbi, i njohur për deklaratat e tij kundër pavarësisë së Kosovës dhe për besnikërinë e treguar ndaj shtetit serb, e ka komentuar fillimin e procesit gjyqësor në Hagë ndaj ish-krerëve të UÇK-së, Hashim Thaçit, Kadri Veselit, Jakup Krasniqit dhe Rexhep Selimit.
“Kam komentuar edhe më parë se Thaçi, Veseli, Krasniqi dhe Selimi do të marrin dënime tejet të larta sepse ka mjaftueshëm material e dëshmi,” tha ai në një prononcim për mediumin serb “Kossev”.
Ai shtoi se dënimi i katërshes së ish-krerëve të UÇK-së do të varet nga deklaratat e dëshmitarëve.
“Ne ia kemi dalë që t’i ruajmë dëshmitarët dhe ata do të luajnë rol kyç në verdiktin final. Besoj se në fund verdikti do t’i shpallë fajtorë dhe kësisoj ata do të pësojnë nga ajo që janë munduar ta shmangin e që është përgjegjësia për Shtëpinë e Verdhë” deklaroi Demo Berisha.
Demo Berisha u bë i njohur për opinionin si shqiptari që kundërshtoi pavarësinë e Kosovës.
Demo Berisha po ashtu ka qenë pjesëtar i Ushtrisë Serbe para dhe gjatë luftës në Kosovë. Pas përfundimit të luftës, Berisha u largua nga Kosova së bashku me Ushtrinë, Policinë dhe paramilitarët serbë dhe u vendos në Serbi ku jeton edhe sot.